Telegrafi

Kuvendi miratoi Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme

Kuvendi i Kosovës, me 79 vota për ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

Deputetët e pozitës dhe opozitës u bënë bashkë për t’i dhënë dritën e gjelbër reformës zgjedhore, ku miratuan edhe 19 amendamente shtesë për këtë projektligj.

Miratimi i këtij projektligji erdhi me procedurë të përshpejtuar, pas miratimit në lexim të parë gjatë së enjtes.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur falenderim për përfundimin me sukses të kësaj reforme zgjedhore.

Ai ka thënë se disa nga çështjet që rregullohen me këtë Projektligj janë: regjistrimi i votuesve jashtë vendit, e drejta e votës, numërimi i votave, mbështetja financiare shtesë për partitë që krijojnë më shumë hapësirë për deputete gra.

Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se në grupin punues është arritur një përmbledhje nga të gjitha grupet.

Nga Lidhja Demokratike të Kosovës, deputetja Hykmete Bajrami ka thënë se partia e saj e mbështet Projektligjin.

“Duke marrë parasysh që komisioni ka marrë parasysh të adresojë të gjitha rekomandimet e BE-së ne si komision kemi arritur të kemi konsensus të plotë. Grupi parlamentar i LDK-së e mbështet Projektligjin”- ka thënë ajo.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë një mësim që është marrë nga ky proces është që kur partitë politike vendosin të bëhen bashkë për një qëllim fisnik, ato i tejkalojnë interesat e veta dhe i japin Kosovës dhe sistemit demokratik një ligj që e ka konsensusin e plotë.