Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë sot miratuan me 65 vota “për” dhe 18 kundër amendamenti që parashikon futjen e marrëveshjes Kornizë të Ohrit në Preambulën e Kushtetutës dhe ndryshimin e fjalëve “vendimet e KAÇKM-së” me fjalët “Shpallja nga seanca e parë e KAÇKM-së”.
Përveç deputetëve të LSDM-së dhe OBRM-PDUKM-së që kanë qëndrime diametralisht të kundërta për këtë amendament, në debat u kyç edhe lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.
“Ne insistojmë që shtet në Preambulë të definohet si shtet multietnik. Dhe besoj se secili subjekt politik në Kuvend e ka thënë në një mënyrë apo tjetrën”, tha Sela.
Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov i replikoi Selës i cili tha se është legjitime që të flitet për këto tema, veçanërisht në debatin publik që po bëhet.
Më herët në Kuvend u miratua edhe amendamenti e cila parashikon ndryshimin e emrit nga Republika e Maqedonisë në Republika Veriore e Maqedonisë./Telegrafi/