Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka bërë të ditur se është arritur marrëveshja me EULEX-in për vazhdimin e mandatit edhe për dy vite.
Ndërkaq po ashtu sot në orën 18:00 qeveria pritet të mbajë edhe një tjetër mbledhje nga ku pritet të procedohet në Kuvend marrëveshja me EULEX-in për t’i vazhduar mandatin këtij misioni.
Megjithatë nuk dihet se kur do të jetë dita kur vazhdimi i mandatit të EULEX të diskutohet dhe të votohet nga Kuvendi i Kosovës.
Kjo për faktin se në njoftimin e dërguar nga Kuvendi për seancën e nesërme në pikat e rendit të ditës nuk shkruan askund votimi i projektligjit për vazhdimin e mandatit të EULEX-it.
Këto janë 17 pikat e seancës së nesërme:
1. Koha për deklarime jashtë rendit të ditës,
2. Koha për pyetje parlamentare,
3. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,
4. Votimi i Projektligjit nr. 05/L-098 për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10,
5. Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Bordit për Ankesa të Mediave,
6. Zgjedhja e Drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit,
7. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-019 për aftësimin, riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me aftësi të kufizuar,
8. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 05/L-077 për regjistrimin dhe ofrimin e shërbimeve dhe masave për punësimin e të papunëve, punëkërkuesve dhe punëdhënësve,
9. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 05/L-081 për Energjinë,
10. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike,
11. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 05/L-084 për Rregullatorin e Energjisë,
12. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 05/L-082 për Gazin Natyror
13. Shqyrtimi i Propozim-vendimit për caktimin e pagës së Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës,
14. Shqyrtimi i Raportit të Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2015,
15. Shqyrtimi i Raportit të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për vitin 2015,
16. Shqyrtimi i Raportit të Agjencisë Kosovare të Pronës për vitin 2015,
17. Shqyrtimi i Raportit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2015. /Telegrafi/