Në Kuvendin e Maqedonisë do të formohet grup pune i përbërë nga përfaqësues të partive politike, për t’u mbështetur zbatimi i agjendës reformuese dhe për hapat e radhës të procesit “Jean Monnet”, që filloi në Ohër, javën e kaluar.
Nga shërbimi për informim i Kuvendit të Maqedonisë konfirmojnë se partitë politike ritheksuan pajtimin për të punuar së bashku që vendi të ec përpara drejt anëtarësimit në BE dhe në strukturat euro-atlantike, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Partitë janë pajtuar që Kuvendi ta ketë rolin më efikas, përmes përdorimit të legjitimitetit të plotë demokratik, fuqinë mbikëqyrëse dhe ligjvënëse, dhe përmes fillimit të reformave, duke filluar nga përkushtimi për miratimin e Kodit etik dhe të ndryshimeve të Rregullores.
Gjithashtu, synohet një rishikim më i thuktë i Rregullores, për të siguruar efikasitet më të madh të Kuvendit, transparencë dhe efektivitet në plotësimin e pritshmërive të qytetarëve për anëtarësim në BE./Telegrafi/