Telegrafi

”Kuvendi i Maqedonisë duhet t’ua heqë imunitetin deputetëve që akuzohen nga PSP-ja” (Video)

Deputetët të cilët ngarkohen nga ana e Prokurorisë Speciale Publike (PSP) mund të thirren në imunitetin e tyre, mirëpo sipas analistëve kjo nuk i shpëton ata nga përgjegjësia penale për veprën që ngarkohen, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ekspertja e së drejtës penale Besa Arifi shprehet se imuniteti deputetin e mbron vetëm kur shpreh mendimin e tij në foltore por jo edhe jashtë Kuvendit. Ndërkohë analisti Ismet Ramadani thekson se Komisioni për çështje të Imuniteti pranë Kuvendit republikan deputetëve të cilët dyshohen nga Prokuroria Speciale mund tua heq imunitetin dhe kështu t’i hap rrugën organeve të drejtësisë.

”Të gjithë njerëzit mendojnë se këta persona janë të mbrojtur me imunitetin si deputet. Imuniteti e mbron deputetin vetëm për shprehjen e mendimeve të tij në foltoren e Parlamentit, deputeti nuk ka imunitet prej ndjekjes penale. Por megjithatë imuniteti e mbron nga masa e paraburgimit, por jo nga ndjekja penale si e tillë. Edhe masa e paraburgimit mund të realizohet edhe tek deputetët, mirëpo ka një procedurë penale e cila paraprakisht mund të zhvillohet, dhe nuk merr gjatë kohë, janë vetëm 2 deri 5 ditë në pyetje”, deklaroi për Alsat-M, profesoresha Besa Arifi.

”Ekziston mundësia që t’ju merret imuniteti, që ata të kalojnë procesin gjyqësor, të marrin dënimin dhe pasi t’ju shqiptohet dënimi atëherë mund të thirren në imunitetin e tyre që në fakt është deri në 5 vite burg mund të thirren në imunitet. Kështu që fare nuk duhet në këtë rast ndoshta edhe të thirren rrethana lehtësuese dhe mbrojtëse të kësaj natyre, sepse këto janë vepra penale të tyre që kanë të bëjnë me dëmtimin e interesave të qytetarëve, interesit që lidhet drejtpërsëdrejti me buxhetin e shtetit prandaj këtu lëmosha dhe imuniteti nuk kanë vend”, deklaroi analisti Ismet Ramadani.

Ish-Prokurori Aleksandar Nakov potencoi që ligji për vepra të rënda penale është i qartë dhe se deputetët që kanë qenë të përfshirë në këto vepra nuk mund ti mbrojë as imuniteti i tyre si deputet nëse u shqiptohet masa e paraburgimit.

”Në asnjë rast deputetët nuk mund ti ikin dënimit me burg. Besoj që duhet një sqarim i shkurtër që deputetët nuk përgjigjen vetëm në bazë të qëndrimeve të tyre në kuadër të funksionit deputet, por për vepra të tilla penale ata do të mbajnë përgjegjësi posaçërisht në pjesën e masës për paraburgimit, un nuk shoh se ka pengesa tu shqiptohen ato masa ose thirrja në imunitet në situatë të këtillë nuk domethënë asgjë, për këtë gjë vendos Komisioni i kuvendit dhe besoj se nuk do të vijë puna deri aty”, tha ish-prokuror Aleksandar Nakov.

Ndryshe, Prokuroria Speciale Publike dje parashtroi 17 aktakuza për 18 lëndë kundër 94 personave fizik dhe shtatë juridik. Në mesin e politikanëve për të cilët Specialja do të kërkon paraburgim janë ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-drejtori i Shërbimit të Sigurimit, Sasho Mijallkov, ish-sekretarët e përgjithshëm të qeverisë Martin Protugjer dhe Kiril Bozhinovski, ish-ministrat e Transportit, Punëve të Brendshme dhe Kulturës, Mile Janakievski, Gordana Jankullovska, Elizabeta Kançevska Milevska si dhe dy funksionarë të BDI-së, Ejup Halimi dhe Ismet Guri./Telegrafi/