Kuvendi i Malit të Zi zgjodhi sot qeverinë e 43-të të Malit të Zi, që do ta udhëheq shqiptari Dritan Abazoviq.
Shumica e re parlamentare, e cila votoi për qeverinë, më herët zgjodhi Daniella Gjuroviqin për kryetare të Parlamentit, e cila zhbllokoi punën e legjislativit pas gati tre muajsh.
Për zgjedhjen e qeverisë së re të pakicës votuan 45 deputetë, ndërsa kundër ishin tre deputetë nga radhët e socialdemokratëve, transmeton Telegrafi.
Për kabinetin e Abazoviqit votuan 16 deputetë të partive që përbëjnë Qeverinë nga Lëvizja Qytetare URA, Partia Popullore Socialiste pro-Serbe (SNP), Partia Socialdemokrate (SDP) dhe partitë kombëtare të shqiptarëve, boshnjakëve dhe kroatëve, si dhe 29 deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviqit, i cili nuk ka përfaqësues në Qeveri.
Qeveria e re do të ketë 18 ministri dhe 2 ministri pa portofol, si dhe katër zëvendëskryeministra.
Mandati i qeverisë është i kufizuar në një vit. Po cilësohet si një “qeveri evropiane”, që për prioritet do të ketë përshpejtimin e rrugës evropiane të Malit të Zi.
Kryeministri i ri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, gjatë fjalimit të tij theksoi dëshiron që të bashkojë fraksionet kundërshtare nën një vizion të një kombi demokratik – pra pa korrupsion dhe me një ekonomi stabile me qëllim që të jetë anëtarja e 27-të e BE-së.
Më poshtë ju sjellim listën e plotë e ministrave të qeverisë së re të Malit të Zi:
Zëvendëskryeministre për Politikë të Jashtme, Integrime Evropiane dhe Bashkëpunim Rajonal dhe Ministre e Çështjeve Evropiane është Jovana Maroviq.
Zëvendëskryeministër për Sistemin Ekonomik dhe Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, Vlladimir Jokoviq,
Zëvendëskryeministër përgjegjës për sistemin Politik dhe Politikën e Brendshme dhe ministër i Mbrojtjes, Rashko Konjeviq,
Zëvendëskryeministër përgjegjës për Zhvillimin Rajonal dhe ministër i Investimeve kapitale, Ervin Ibrahimoviq.
Ministër i Drejtësisë, Marko Kovaç,
Ministër i Punëve të Brendshme, Fillip Axhiq,
Ministër i Financave, Alleksandar Damjanoviq,
Ministër i Punëve të Jashtme, Ranko Krivokapiq,
Ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe i Turizmit, Goran Gjuroviq,
Ministër i Sportit dhe Rinisë, Vasilije Lalosheviq,
Ministër i Administratës Publike, Marash Dukaj, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Admir Adroviq,
Ministër i Arsimit, Miomir Mijo Vojinoviq,
Ministër i Shëndetësisë, Dragoslav Shqekiq, ministër i Kulturës dhe Mediave, Masha Vlaoviq,
Ministre e Ekologjisë, Planifikimit Hapësinor dhe Urbanizmit, Ana Novakoviq Gjuroviq,
Ministër i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka,
Ministre e Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik, Biljana Shqepanoviq,
Ministër pa portofol, Zoran Miljanic dhe Adrijan Vuksanoviq, gjithashtu ministër pa portofol. /Telegrafi/