Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës sot kanë zhvilluar një takim me delegacionin e Grupit të Evropës Juglindore të Parlamentit të Gjermanisë në të cilën u diskutua për disa çështje me qëllim të një koordinimi më të mirë ndërmjet të dyja vendeve, me theks të veçantë bashkëpunimi ndër-parlamentar.
Sipas një njoftimi bëhet e ditur se kryetarja e Komisionit, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, si dhe anëtarët e tjerë të komisionit, vlerësuan lartë angazhimet e Gjermanisë dhe përpjekjet e saj konkrete për integrimin e rajonit.
Tutje në njoftim thuhet se në këtë takim u nënvizua angazhimi gjerman për Procesin e Ballkanit të Hapur, “ide kjo që buron dhe përkrahet pa rezerva nga diplomacia gjermane”.
Ndërsa, në emër të delegacionit gjerman foli Josip Juratoviq, i cili theksoi miqësinë dhe bashkëpunimin ndërmjet të dyja vendeve.
Ai tha se Kosova dhe Gjermania kanë ndërtuar raporte të mira dhe miqësore, dhe vlerësoi po ashtu se, ato do të fuqizohen edhe më tej në të ardhmen.
Ndërkaq, duke iu referuar zhvillimeve të fundit në vendin tonë, Juratoviq u angazhua për një bashkëpunim më të ngushtë dhe konsultim paraprak. /Telegrafi/