Kuvendi Komunal i Prishtinës për afro shtatë muaj ka mbajtur vetëm 4 seanca. Sipas kalendarit të zakonshëm, deri tashti është dashur të mbaheshin gjashtë seanca, shkruan sot Koha Ditore.
Nga ana tjetër, raporti financiar për gjashtëmujor ende nuk është përgatitur as të sillet para Kuvendit, ndonëse ai do të duhej të kalonte në Komitetin për Financa para gjysmës së muajit dhe të miratohet më së largu deri më 30 korrik.
Halim Halimi, kryetar i Kuvendit Komunal të Prishtinës, ka thënë se gjatë këtij gjysmë viti janë mbajtur gjithsej katër mbledhje, ndonëse do të duhej të ishin mbajtur së paku pesë të tilla.
Ai ka bërë të ditur se mbledhja e ardhshme e KK-së, e pesta me radhë në këtë vit, do të mbahen në javën që vjen, pasi që të mërkurën është mbajtur edhe mbledhja e Komitetit për Politikë dhe Financa, ku janë vënë edhe pikat e rendit të ditës së KK-së.