Sot Kuvendi Komunal i Prishtinës, ka miratuar një rezolutë, përmes se cilës shpreh protestën dhe mospajtimin me ndaljen e ish–kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, nga autoritetet franceze.
Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Brahim Mehmetaj, ka lexuar një deklaratë e cila është votuar unanimisht nga të gjithë asamblistët.
Ai ka thënë se me ndalimin e ish-kryeministrit Haradinaj, janë bërë shumë reagime në të gjitha trevat shqiptare, dhe si pasojë e kësaj ka ardhur ideja për një deklaratë të tillë.
Në këtë deklaratë shprehet shqetësimi rreth ndalimit të Haradinajt.
Po ashtu, ndalimin nga vendi mik si Franca thuhet se është i papranueshëm.
Ndryshe, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, është arrestuar më 4 janar në aeroportin e Bazelit nga policia franceze me urdhër arrest të Serbisë.
Haradinaj do të dalë para gjykatës të enjten (9 shkurt) në Colmar të Francës. /Telegrafi/