Kuvendi Komunal i Prishtinës ka mbajtur sot mbledhje të jashtëzakonshme për cilësinë e ajrit në Prishtinë, gjatë të cilës me 34 vota për, 5 abstenime dhe asnjë votë kundër, janë aprovuar 18 rekomandime për përmirësimin e cilësisë së ajrit.
Mbjellja e drunjve, ndalimi i shitjes së thëngjillit, krijimi i një plani afatgjatë për mbrojtjen e mjedisit, zgjerimi i rrjetit të Termokos-it, ishin disa nga opsionet që u dhanë sot nga asamblistët e Prishtinës për të përmirësuar cilësinë e ajrit.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerand Stavileci ka akuzuar qeverisjen e Shpend Ahmetit se nuk ka plan konkret lidhur me masat për ndalimin e ndotjes së ajrit.
Sipas tij, mbledhja e 5550 drunjve nuk është kujdesi i duhur që qeverisja Ahmeti i ka dhënë kryeqytetit.
“Kjo qeverisje lokale ka shumë më shumë se kaq, që është konstatuar dhe besoj që edhe problemeve politike të harmonizimeve të planeve partiake, do të duhej të dilej përtej situatës dhe për këtë rast konkret shumë më herët të paraqitej një plan konkret, jo vetëm nga ajo që po ndodh sivjet, sepse ne kemi pasur një situatë të tillë edhe vitin e kaluar edhe para dy vitesh edhe këto masa kozmetike që po ndërmarrën, sa do që disa prej tyre mund të jenë nën ombrellën e një pakoje të përgjithshme të masave të thuhej që nga kjo datë deri më këtë datë, dhe njerëzit qysh nga stina e pranverës dhe verës të nisnin dhe të përgatiteshin për sezonin dimëror dhe jo të mos kemi asnjë veprim, as edhe një veprim e tërë qeverisja komunale në katër vitet e kaluara gjë që e konfirmon edhe dje disa deputetë që kanë qenë pjesë e kësaj nomenklature në qeverisjen e kaluar. Përmend disa mija drunj, për shembull në vitin 2016/2017 nëse i mbledhim bashkë janë 5550 që i ka kontraktuar drejtoria për shërbime publike dhe që i ka mbjellë “Hortikultura” dhe a është ky kujdesi që duhet t’ia kushtojë kryetari dhe të gjithë të tjerët mjedisit absolutisht që jo”, tha ai, shkruan kp.
Stavileci po ashtu ka theksuar se në qeverisjen aktuale mungon edhe plani i mobilitetit, derisa tha se edhe tipi i tillë i autobusët për vitin 2018 nuk është i qëlluar, derisa në botë flitet për autobusët elektrik.
Në anën tjetër ka reaguar kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili ka theksuar se asamblisti i PDK-së po e përdor seancën për sulme politike të pa vërteta, duke i thënë se nuk ka as lidhje bazike për këtë çështje.
Sipas tij, Stavileci po e përdor seancën për sulme politike, duke shtuar se ndalja e automjeteve për të qarkulluar brenda qendrës së qytetit ka ndikuar që ta zbutet sadopak ndotjen e ajrit.
“Ideja është që të bashkëpunojmë me nivelin qendror, ideja e reduktimit që ta zbusim impaktin fillestar, politikat afatmesme janë këto zgjerimi i kogjenerimit, është prioritet i joni dhe tashmë e kemi fazën e dytë që është para të komisionit evropian dhe tenderimi i tyre po bëhet, masterplani u prezantua prej KFV-së për krejt banesat që do të kyçen në fazën e dytë”, tha Ahmeti.
Ndërsa, shefi i grupit parlamentar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Halim Halimi tha se masat e ndërmarra nga komuna nuk janë efektive dhe se duhet një plan strategjik afatgjatë për këtë çështje.
Kurse Fadil Gashi, shef i grupit të asamblistëve të AAK-së tha se ndalja e makinave është afatshkurtre dhe nuk është zgjidhje. Ai në emrin e grupit parlamentar AAK ka propozuar që Temokos-i të gjitha lagjet.
Rekomandimet e miratuara nga Kuvendi Komunal i Prishtinës janë paraqitur nga shefi i grupit parlamentar, Blerand Stavileci të cilat u votua me shumë votash.
Kuvendi Komunal i Prishtinë se ka mirëpritur rezolutën e miratuar sot nga Kuvendi i Kosovës për cilësinë e ajrit dhe zotohet se do t’i kryejë rekomandimet që dalin nga kjo rezolutë, që i përkasin pushtetit lokal.
Në rezolutën e miratuar nga KK i Prishtinës, mes tjerash thuhet se mbrojtja e ambientit të shndërrohet në prioritet të Qeverisë së Kosovës. I kërkohet Qeverisë së Kosovës që të rishikohet strategjia e mbrojtjes së ambientit. Të vendosen elektrofiltra të cilësisë së duhur në termocentralet e KEK-ut, deri në fund të vitit 2018. Të bëhet kontrolli i cilësisë së karburanteve të naftës dhe gazit, sipas ligjeve në fuqi dhe të sigurohen kapacitetet e duhura për të siguruar kontroll cilësor. Të ndahet buxhet për izolimin e ndërtesave publike. Të shtohet buxheti për shtrirjen e rrjetit të ngrohtores Termokos.
Ndryshe, Komuna e Prishtinës me qëllim të mbrojtjes së mjedisit për dy ditë ka ndaluar qarkullimin e veturave brenda qendrës së kryeqytetit, si dhe ka ndalur shitjen e thëngjillit.