Nëse në Prishtinë është debati nëse duhet apo jo të mblidhet Kuvendi i Kosovës për shkak të rekomandimeve të IKSHPK-së, ne Obiliq është ftuar seancë emergjente e Asamblesë komunale.
Kjo është konfirmuar për KosovaPress nga kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, i cili tha se anëtarët e Kuvendit të Komunës janë ftuar për të shqyrtuar dhe ndarë mjete për të ndihmuar familjet në nevojë dhe për masat shtesë.
Mbledhja e Kuvendit Komunal të Obiliqit do të ndodhë në ora 17:00 dhe do të mbahet në palestrën e sportit “Adem Jashari”, pasi është hapësirë e nevojshme për të ruajtur distancën e kërkuar nga IKSHPK.
I pyetur se sa do të jetë shuma që kërkohet të miratohet sot në Kuvendin e Komunës, tha se kjo është në përpilim nga ana e Drejtorisë së Shëndetësisë.
“Jemi në përpilim të kërkesave, ka marrë për obligim Drejtoria e Shëndetësisë në këtë rast me QKMF-në, Drejtorinë e Mirëqenies Sociale, po ashtu edhe Kryqi i Kuq janë duke përpiluar një kërkesë që ka të bëjë me pakot ushqimore, me vazhdimin e dezinfektimit nëse do të kemi ndonjë rast nëpër shtëpitë të cilat do të izolohen, institucioneve, QKMF-së e vazhdimësi, autoambulancës që janë në qarkullim do të dezinfektohen pas çdo kthimi nga terreni e kështu me radhë”, tha Gashi.