Telegrafi

Kuvendi Komunal i Obiliqit miraton ngritjen e shtatores së heroit Fahri Fazliu

Kuvendi komunal i Obiliqit ka votuar për zëvendësimin e bustit të heroit Fahri Fazliu me ngritjen e shtatores së tij.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i komunës, Xhafer Gashi, pasi ka vizituar familjarët e bashkëveprimtarit Fazliu.

“Një vizitë e veçantë nga Fadil Fazliu dhe Fahri Fadil Fazliu, familjarët e bashkëveprimtarit e Heroit të Kombit Fahri Fazliu”, ka shkruar Gashi në rrjetin social Facebook.

Lexo po ashtu Bëhen 31 vjet nga rënia e dëshmorëve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu

“Vizitat e tilla janë përherë të mirëpritura dhe pikërisht sot me lajmin se Kuvendi Komunal i Obiliqit ka aprovuar zëvendësimin e bustit të Heroit Fahri Fazliu me ngritjen e shtatores së tij! Lavdi jetës dhe veprës së Heroit Fahri Fazliu! Respekt i përjetshëm për familjen Fazliu!”.

Fahri Fazliu, u lind në vitin 1963 në Llaushë të Podujevës.

Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa të mesmen në Prishtinë. Ai ishte pjesëmarrës edhe në demonstratat e vitit 1981. Aktivitetin e tij në çlirim të atdheut e vazhdoi gjatë tërë kohës edhe në vendin e tij të punës dhe kudo ku i jepej mundësia.

Më 2 nëntor, ai dhe Afrim Zhitia u rrethuan në lagjen Kodra e Diellit nga UDBA serbe dhe prej orës 12:45 deri në ora 19:00 të shtënat nuk janë ndalur, ku ranë heroikisht të dy atdhetarët. /Telegrafi/