Telegrafi

Kuvendi ia vazhdon mandatin Komisionit Hetimor për hidrocentralet

Foto: Arkiv

Kuvendi i Kosovës ia ka vazhduar mandatin edhe për tre muaj dhe buxhetin shtesë Komisionit Hetimor mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës.

Organi më i lartë legjislativ nuk kishte kuorum për t`u votuar rezolutën e Mimoza Kusari- Lila nga interpelanca me ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi në lidhje me dhënien e licencave afatgjate (40 vjet) për prodhimin e energjisë elektrike ndërmarrjes “Kelkos energy” sh.p.k për HC “Deçani” dhe HC “Belaja”.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci tha se në këtë votim morën pjesë vetëm 21 deputetë.

“Atëherë konstatoj që janë vetëm 21 vota për, asnjë kundër, asnjë abstenim. Nuk ka vendimmarrje në këtë pikë, dhe do të hidhet përsëri në votim”, u shpreh ajo.