Telegrafi

Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot Ligjin kundër korrupsionit

Deputetë e Kuvendit të Kosovës miratuan sot në shqyrtim të parë Projektligjin kundër korrupsionit, të cilin dje e prezantoi ministrja e Drejtësisë Nekibe Kelmendi.

Deputeti Bahri Hyseni, kryetar i Komisionit për Legjislacion dhe Gjyqësi, tha se projektligji në fjalë i plotëson të gjitha standardet e kërkuara dhe si i tillë e ka përkrahjen e Komisionit për legjislacion. Sipas tij në projektligj duhet bërë disa ndryshime, të cilat do të amandamentohen gjatë shqyrtimit të dytë.

Donika Kada-Bujupi, nga AAK-ja, tha se korrupsioni nuk mund të luftohet vetëm me retorikë. Ky projektligj, tha Bujupi, më shumë i përngjan një konkursi sesa ligji dhe kërkoi nga deputetët të mos e miratojnë si të tillë.

Ndërkaq Ibrahim Gashi nga AKR-ja tha se në projektligj ka përzierje të kompetencave dhe formulime të gabuara në hartimin e tij.

Ndryshe Kuvendi në rend dite ka edhe Projektligjin për prokurimin publik, Projektligjin për rezervat shtetërore të mallrave, Projektligjin për menaxhimin e pasurisë së konfiskuar dhe Projektligjin për punësimin e shtetasve të huaj në Republikën e Kosovës. /rtk/