I kujt do të jetë Kuvendi i ardhshëm, i ashtuquajturi, Kuvendi i Kosovës? A do të ketë aty përfaqësues të popullit, pra të qytetarëve të Kosovës, apo do të ketë përfaqësues të Shërbimit Inteligjent të Kosovës, siç njihet shkurtimisht me emrin “SHIK”?
Si është e mundshme që Azem Syla, Fadil Demaku, Bekim Haxhiu, Elmi Reçica dhe disa të tjerë që opinioni publik gati se nuk i njeh fare, të fitojnë aq shumë vota sa të jenë në ulëset e Kuvendit të Kosovës, ose edhe për të cilët publikisht dihet që janë pjesëtarë të një grupi organizativ brenda Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që quhet SHIK? Nuk është e sigurt se çfarë shërbimesh ka ofruar ky organizim, por mungesa e një hetimi ligjor-policor, mes qytetarëve të Kosovës, lë mjaft hapësirë që ky organizim partiak të jetë i përfshirë tepër thellë në buxhetin qeveritar, pra në harxhimin e tij. Pra, pa një hetim të mirëfilltë policor e gjyqësor, çdo gjë është e hapur, secili perceptim publik dhe raport medial për SHIK-un mbetet i besueshëm.
Kuvendi Kosovës, me përbërjen e ardhshme, ka një legjitimitet të dyshimtë ende pa ia nisur punës mirë, fillimisht për shkak të dyshimeve për vjedhjen e votës mes partive politike dhe pastaj për kontrabandimin e votës brenda partive, mes vet kandidatëve. Përtej kësaj, në përbërjen e këtij Kuvendi do të ketë personalitete që shfrytëzuan Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe vet Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) për t’u reklamuar.
Sa për ta përmendur, jehona e UÇK-së dita ditës po zbehet, venitet, shuhet. Ka pak gjasë që shkronjat “UÇK” të kenë vlerën e ndërtimit shpirtëror e kulturor për qytetarët e Kosovës. Në këtë kuadër, edhe ndonjë vit dhe këto shkronja, figurativisht, do të bëhen për kosh plehrash.
Edhe një herë, shumë njerëz kanë shfrytëzuar këto shkronja ose ndonjë aktivitet sado të ulët brenda strukturës së UÇK-së për t’u reklamuar në televizor. Dhe, rrjedhimisht, të fitojë tender qeveritar ose pozitë pune, shtëpi, banesë, veturë, vilë dhe të tjera privilegje, duke marr parasysh varfërinë dhe papunësinë në Kosovë.
Edhe UÇK është individualizuar, ashtu siç po individualizohet dhe, ne fakt, personalizohet çdo gjë tjetër në Kosovë. Në këtë kuadër perceptimi, edhe Kosova po individualizohet, pra po bëhet pronë e disa njerëzve që nuk do të ishte çudi nëse këta njerëz të kenë qenë aktivistë të SHIK-ut. Nuk është e sigurt nëse këta njerëz po e bëjnë këtë për të shpëtuar nga burgu apo thjeshtë dëshirojnë që Kosovën ta kthejnë dhe ta trajtojnë si pronë private, si pronë personale.
Sido që të jetë, Kuvendi i Kosovës, nga radhët e PDK-së, do të përbehet nga njerëzit që do të kenë titullin “deputet”. Këta deputetë vështirë që do të jenë përfaqësues të qytetarëve të Kosovës, të vullnetit të tyre të lirë politik, shoqëror dhe ekonomik, kur dihet që mediat vazhdojnë të jenë ushqimi kryesor i përzgjedhjes. Tashti, se çfarë do të përfaqësojnë këta deputetë ose edhe se kujt i takojnë ata, do ta shohim nga rezultati i punës së tyre. Deri më 2010, Kuvendi i Kosovës prodhoi mospunë, papërgjegjësi, joseriozitet, laramani ligjesh të pazbatuara, si dhe privilegje për vetveten. Me një fjalë, deri më sot, Kuvendi i Kosovës prodhoi korrupsion të të gjitha llojeve. E tash, a do të vazhdojë kjo praktikë pune të jetë edhe më tutje kështu, apo ndoshta pritet të vendoset ndryshe, kjo pritet të shihet.
(Autori është kandidat për deputet të Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje. Pikëpamjet në këtë shkrim janë personale)