Të paktën kështu thotë sekretari i përgjithshëm i FFK-së Eroll Salihu, sipas të cilit “çdo gjë është e gatshme, pasi klubet me kohë janë pajisur me materialin e duhur”. Sistemi i garave është ajo që më së shumti u intereson klubeve, ndonëse është vështirë të thuhet se në këtë kuvend do të ndodhë diçka rreth kësaj teme.
“Nëse delegatët kanë diçka për t’u propozuar edhe mund të bëhet fjalë për ndryshimin e sistemit të garave, por tash për tash nuk ka asgjë të re”, thotë Salihu. Rreth sistemit të garave është takuar edhe Këshilli Profesional i FFK-së me në krye Ajet Shoshollin.
“Ne kemi propozuar që në Superligë përveç skuadrës së 10-të edhe skuadra e renditur në pozitën 9 -të të shkojë në barazh dhe të luajë ndeshje me skuadrën e 4-të të Ligës së parë. Kjo do të thotë se do të zhvillohen dy ndeshje barazh, ndërmjet skuadrave të Superligës dhe Ligës së parë”, thotë Shosholli. Prishtina nuk mund të lavdërohet se ka qenë shpesh e pranishme në kuvendet e FFK-së.
Drejtuesit e kësaj skuadre shpesh kanë munguar dhe këtë e kanë bërë për shkak të pakënaqësive me punën që po bëhet në FFK. Mirëpo, kësaj radhe duket se do të jetë më ndryshe.
Të paktën kështu shprehet drejtori i FC Prishtina, Sokol Krasniqi. “E kemi marrë materialin dhe do të jemi të pranishëm. Sa i përket ndonjë propozimi, ne do të takohemi me drejtuesit e klubit dhe do të bisedojmë për këtë çështje, por nuk ka dyshim se jemi për një sistem të ri të garave. Edhe më parë kemi thënë se Prishtina është për zvogëlimin e Superligës në mënyrë që të kemi më shumë cilësi”, thotë Krasniqi.
Edhe drejtuesit Trepçës ’89 janë për ndërrimin e sistemit të garave dhe për një ligë me më pak skuadra. “Përfaqësuesit e klubeve të Superligës kemi pasur takim edhe me drejtuesit e FFK-së dhe ia kemi shprehur brengat dhe kërkesat tona për rrjedhë sa më të mirë të garave në futbollin tonë.
I kemi thënë qartë se jemi për atë që në edicionin 2014/2015 katër skuadrat e fundit të largohen nga Superliga, në mënyrë që në edicionin 2015/2016 Superliga të ketë 10 skuadra. Jemi 24 delegatë nga skuadrat e Superligës dhe të gjithë besoj se janë për një propozim të tillë, por shpresoj se do ta kemi edhe përkrahjen e skuadrave të Ligës së parë pasi kjo është edhe në të mirën e tyre. Ndryshe do të kërkojmë që për Superligë të vendosin përfaqësuesit e Superligës”, tha Zeka, kryetar i KF Trepça ’89. /Zëri/Telegrafi/