Telegrafi

Kuvendi dështon të ratifikojë pesë marrëveshjet ndërkombëtare që pritej t’i sillnin vendit miliona euro

Foto: Arkiv

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vazhduar seancën plenare gjatë të enjtes. Por pesë marrëveshjet ndërkombëtare që pritej t’i sjellin vendit miliona euro dështuan të ratifikohen nga të zgjedhurit e popullit.

Dy partitë opozitare, LVV-ja dhe PDK-ja nuk votuan fare, duke pamundësuar shmangien proceduriale për këto projektligje.

Kryesuesja e seancës, Arbërie Nagavci tha se votën e dy të tretave të deputetëve nuk mund të procedohet tutje për pikat tjera të rendit të ditës.

“Për të vazhduar me pikat e tjera duhet vazhduar me të njëjtën procedurë votimit për shmangien nga rregullorja. Duhet të bërë me 2 e të pranishmëve të deputetëve”, tha ajo.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi akuzoi VV-në që këto marrëveshje ndërkombëtare janë dërguar në Kuvend nga Qeveria Kurti, por nuk po përkrahen nga deputetët e këtij subjekti politik.

Lexo po ashtu Kosova humbë miliona euro nëse nuk ratifikohen në Kuvend marrëveshjet ndërkombëtare financiare

Marrëveshjet ndërkombëtare që dështuan të miratoheshin janë:

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar.

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan.

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit ‘Dogana 2020’.

Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”.