Site icon Telegrafi

Kuvendarët nuk ia prishin tymin FFK-së!

Të paktën kështu fitohet përshtypja nga rrjedha e çdo kuvendi, i cili nuk zgjat shumë pavarësisht se është kuvend pune apo zgjedhor. Edhe kuvendi i djeshëm i rregullt i mbajtur “Te rrethi” në kryeqytet nuk ka se si të dalloj nga të tjetër, pasi çdo gjë shkoi ashtu siç ishte planifikuar nga drejtuesit e futbollit kosovar.

Ndërkohë, delegatët, si zakonisht vetëm ia bënin “aminin” raporteve të lexuara e monotone. Nga 59 delegatë të ftuar, të pranishëm ishin 42, të cilët që në fillim u përshëndetën nga kryetari i FFK-së Fadil Vokrri e më pas edhe nga drejtori i Departamentit të Sportit, Ibër Alaj, i cili u dëshirojë sukses në emër të Ministrisë së Sportit.

Rendi i ditës pa asnjë vërejtje u miratua nga kuvendarët, ndërsa Fadil Vokrri më pas bëri një rezyme të arriturave në futbollin kosovar gjatë periudhës së shkuar, duke u përqendruar në rrafshin vendor, por edhe në përpjekjet e FFK-së për ndërkombëtarizimin e futbollit kosovar. Natyrisht se u përmendën edhe shumë takime me drejtues të ndryshëm ku në spikamë ra takimi me presidentin e FIFA-s, Sep Blatter.

Natyrisht se nuk munguan duartrokitjet për të cilat u përkujdes Ismajl Ajeti, i cili zakonisht është i pari në raste të tilla. Nuk kishte vend për dështime, dhe as që u përmend fakti se futbollistët kosovarë të grupmoshave të reja mund të bëhen pjesë e skuadrave të ndryshme evropiane, por klubet tona të cilat e kanë rritur futbollistin mbesin me gishta në gojë dhe kjo fal lëshimit që është bërë nga drejtuesit e FFK-së me rastin e pranimit të kartonit të futbollistit.

Raporti për garat në edicionin e kaluar u lexua nga Adem Çollakaj, i cili tha se me këtë rast nuk janë përfshirë garat e grupmoshave të reja, pasi ato drejtohen nga Lidhjet Rajonale. Edicioni 2012/2013 në futbollin tonë kishte nisur me 89 skuadra, por që përfundoi me 80, pasi të tjerat për shkaqe të ndryshme hoqën dorë nga garat. Sipas Çollakajt kampionati i Kosovës nuk dallon shumë nga ata të shteteve të rajonit, ndërkohë që lavdëroi sjelljen e mirë të futbollistëve, por edhe organizimin e ndeshjeve nga klubet e futbollit.

Nuk kishte vërejtje as për raportin financiar i lexuar nga Agim Gashi, ndonëse përfaqësuesi i Ferizajt u mundua të nxjerr diçka, duke e përmendur edhe auditorin, por çdo gjë kaloi heshtazi. Sekretari i përgjithshëm i FFK-së Eroll Salihu e arsyetoj ndërprerjen e bashkëpunimit me Legea duke thënë ndër të tjera se “Legea nuk ishte korrektë me ne”. Përfaqësuesi i futsallit, Skender Sadiku kërkojë përkrahje dhe tregoi se gjatë edicionit të shkuar Feniksi ishte në Çeki, Liburni në Kroaci, kurse Besa U18 në turneun e Zarës. Në fund u lexuan edhe kërkesat e klubeve dhe futbollistëve.

Të gjitha kërkesat e klubeve për të marr pjesë në garat e ligës së dytë, të juniorëve apo të grupmoshave të reja u miratuan pa vërejtje. U miratua edhe kërkesa për falje e futbollistit të Dritës Vëllaznim Jashari i cili ishte i dënuar me 18 muaj moslojë dhe deri më tani i ka kaluar 15 muaj, kështu që me pëlqimin e delegatëve iu falën tre muajt e mbetur.

Fadil Vokkri foli rreth mundësisë së formimit të një komisioni i cili do të merret me hulumtimin e kurdisjeve të mundshme të ndeshjeve, ndërkohë që krejt në fund në foltore doli drejtori i FC Prishtina, Sokol Krasniqi, i cili kërkoi që të formohet Shoqata e Klubeve dhe zvogëlohet Superliga.

Sa i përket Shoqatës së klubeve, Vokrri tha se kjo ka qenë vet kërkesë e tij, por klubet nuk kanë pranuar duke thënë se ende nuk janë pjekur kushtet për një gjë të tillë, derisa për zvogëlimin e Superligës nuk u tha asnjë fjalë, pasi delegatët sikur mesi pritnin përfundimin e kuvendit dhe kalimin në sallën tjetër ku i priste kokteji i përgatitur nga FFK-ja, e ku ishin shumë më të zëshëm dhe më të gatshëm për bisedë sesa në kuvend. /Zëri/Telegrafi/ 

Exit mobile version