Sot është mbajtur seanca e Kuvendit Komunal të Gjilanit, me çrast u diskutuan çështje të rëndësishme, ku u miratua edhe kërkesa e DKA-së për ndarjen e bursave për studentë me vlerë prej 150 mijë euro.
Sa i përket ndarjes së bursave, kuvendarët kërkuan që konkursi të shpallet në bazë të kritereve të caktuara nga seanca e kaluar.
Ndryshe, gjatë seancës është zhvilluar një debat polarizues pozitë-opozitë, pas kërkesave nga ana e kryetarit të Komunës, Alban Hyseni, për futjen në rend dite të Buxhetit për vitin 2025, themelimin e Inkubatorit të Biznesit dhe bartjen e mjeteve në vlerë prëj 2.5 milionë euro.
Sa i përket raportit financuar janar-shtator, shefi i grupit të PDK-së, Bujar Nevzati, pati vërejtje për rënie të të hyrave vetanake e moshpenzim të buxhetit për investime kapitale në drejtoritë përkatëse, derisa shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së, Avdyl Aliu, tha se janë nëntë milionë euro të parapara për investime kapitale, ndërkaq, sipas tij, janë realizuar katër milionë euro, duke kritikuar ekzekutivin për paaftësi e pasivitet. /Telegrafi/