Site icon Telegrafi

Kuvend të tillë ka Kosova?!

Nëse rikthehemi në kohë e kujtojmë të kaluarën tonë të pasur, traditën, kulturën, doket e zakonet, të gjitha këto ndërlidhen ngushtë me Oden një objekt shumë modest, pa kolltuqe të mëdha luksoze e të rehatshme, ku burrat njohur të fshatit, provincës a krahinës mblidheshin, jo thjesht për të diskutuar, por arrinin dhe të merrnin vendime të mëdha e të rëndësishme për banoret lokal, ku kushtetuta ishte fjala e urtë, ndërsa amendamentet zëvendësoheshin me rregullat e Lekë Dukagjinit. Aty ku fjala e pleqnarit i vinte pikat mbi I, ndërsa vendimi mbetej përgjithnjë i shenjt e i paprekshëm.

Kohërat tanimë kanë ndryshuar bashkë me të edhe njeriu, vetëdija njerëzore po njeh shkallë të madhe zhvillimi e emancipimi dhe si rrjedhojë po zhduken dalëngadalë sistemet primitive që njeriun e njihnin vetëm si vegël pune, tani me ritme te shpejta po i përqafojmë sistemet më demokratike.

Në vend të plakut më të urtë të fshatit, në Kuvend kemi kryetarin, i cili me votat e zgjedhësve merr mbi supe përgjegjësinë për të drejtuar një seancë, që në bashkëpunim me deputetët dhe komisionet parlamentare, pareshtur hartojnë e punojnë ligje në të mirën e shoqërisë.

Përkundër dhomave të errëta, me llambat vajguri, ku diskutohet për fatin e gruas së ve apo gjakmarrjes, në Kuvend mbizotëron një natyrë krejt tjetër, ajo e interpelancave, mbledhje dhe takime, ku nxirren përfundime rreth çështjeve me të rëndësishme për shtetin dhe qytetarët e saj.

Këtu mund të flasim për një demokraci të drejtë, të mirëfilltë, ku zëri i shumicës triumfon, ku paragjykimet nuk merren parasysh, fjala e të paditurit është pika e ujit në oqean, ndërsa fjala e të mençurit është gjyqi i çdo gjëje.

Në këtë odë moderne ligji peshon çdo gjë, përfshin gjithçka, këtu fjala e lirë është prioritet i gjithçkaje. Në të caktohet e drejta, për të jetuar një jetë më të mirë edhe për atë që është demoralizuar nga jeta, dhe për atë tjetrin që familja e tij mbeti pa kulm mbi kokë nga vërshimet, dhe për fëmijën që e braktisën prindërit, e jeton në jetimore.

Jo më kot Kuvendi konsiderohet si aparati kryesor i një shteti, organi ku të gjithë njerëzit hedhin sytë e kërkojnë shpresën, aty ku fati i njerëzve qëndron si në pëllëmbë të dorës, që nuk ndajnë njerëzit në të bardhë apo të zinj, myslimanë, krishterë apo hindu, aty ku femra ka privilegjin e përparmin e plote. Prandaj Kuvendi është me të drejtë simboli i demokracisë kurse demokracia simboli i jetës, mendimit te drejtë e fjalës së lirë.

Exit mobile version