Telegrafi

Kuvajti deklarohet pro pavarësisë së Kosovës

Deklaratat janë bërë, të mërkurën pasdite, nga kryeministrat e dy vendeve, ai kuvajtian, Al Sabah, dhe ai shqiptar, Sali Berisha, gjatë konferencës së përbashkët në Tiranë, pas nënshkrimit dypalësh të 6 marrëveshjeve në fusha të rëndësishme.

“Ne kemi diskutuar për çështjen e Kosovës. Ajo është ende në Këshillin e Sigurimit. Kur të mbërrijë në Organizatën e Konferencës Islamike, vota jonë do të jetë pozitive”, u shpreh Al Sabah, pas pyetjes që i është bërë lidhur me qëndrimin që vendi i tij do të mbajë për këtë çështje.

Ndërsa kryeministri Berisha, theksoi se, SHBA dhe vendet e BE, do ta njohin pavarësinë, ndërsa Shqipëria do të bëjë të gjitha përpjekjet që Kosova të ecë në rrugën e pavarësisë.

I pyetur për qëndrimin që do të mbahet nëse Kosova do të vetëshpallë pavarësinë, Berisha është përgjigjur se tashmë nuk mund të flitet për njëanësi, sepse SHBA dhe BE kanë rënë dakord për një qëndrim të përbashkët, një pavarësi e mbikëqyrur, ndaj edhe deklarimi i pavarësisë, sipas tij, do të vije në bashkërendim me BE dhe SHBA.

“Për sa i përket Shqipërisë, më duhet të them që ajo e ka njohur, e njeh dhe do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Nuk ka pasur ndonjëherë lëkundje në qëndrimin e Shqipërisë”, përfundoi kryeministri shqiptar. /balkanweb/