Site icon Telegrafi

Kushti i vetëm i Ozilit për të rinovuar me Arsenalin

Edhe pse pas 18 muajsh skadon kontrata me Arsenalin, Mesut Ozil ende nuk i ka nisur bisedimet me drejtuesit e klubit për rinovimin e saj.

Kjo situatë nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka shtuar zërat për një largim të mesfushorit të përfaqësueses gjermane, ku është folur edhe për një rikthim të mundshëm të tij te Reali i Madridit, nga i cili u largua në vitin 2013.

Megjithatë, duket se Ozil nuk është shumë i shqetësuar në lidhje me këtë çështje. Futbollisti gjithnjë ka deklaruar se synimi i tij është që të vazhdojë të jetë pjesë e Arsenalit, por së fundmi ai ka vendosur edhe një kusht që ka të bëjë me trajnerin Arsene Wenger, transmeton tch.

“Ndihem mirë te Arsenali dhe e kam bërë të qartë se jam gati të rinovoj kontratën. Por, drejtuesit e dinë shumë mirë që erdha këtu falë Wenger. Ishte ai që më bëri të firmosja për këtë skuadër, duke shprehur besim të plotë ndaj meje. Por, unë dua të di me siguri se çfarë do të bëjë Wenger”, tha Ozil në një intervistë për “Kicker”.

Sipas asaj që publikohet në median angleze, Arsenali ka përgatitur për Ozil një kontratë të re, që parashikon një pagë prej 11 milionë eurosh në vit, 3 milionë më shumë nga ajo që futbollisti përfiton nga kontrata që ai nënshkroi përpara 3 vitesh, kur “Topçinjtë” shpenzuan 50 milionë euro për blerjen e kartonit të tij.

Exit mobile version