Serbisë do t’i duhet t’i vë sanksione Rusisë, përndryshe nuk do të mund të përparojë në negociatat e saj për të hyrë në BE.
Kështu ka thënë një burim i lartë nga Berlini, njofton Danas.
“Nëse pritet të ketë probleme me Rusinë, do t’i kërkojmë Serbisë atë që ia kërkuam edhe Malit të zi”, ka thënë burimi në fjalë, i afërt me kancelaren Angela Merkel.
“Gjermania nuk e ka krejt të qartë pse ishte e nevojshme hapja e qendrë humanitare ruso-serbe për situata të jashtëzakonshme në Nish”.
Bashkëbiseduesi i Danas ka thënë se gjatë vizitës së mëhershme në Berlin, kryeministri serb Aleksandar Vuçiq ka dhënë një version tjetër të afrimit me Rusinë.
“Nëse Serbia dëshiron të bëhet pjesë e BE-së, nuk mund të ulet në dy karrige njëkohësisht”, ka vazhduar zyrtari, që është përgjegjës për punë të jashtme në Bundestagun gjerman, transmeton Klan Kosova.
Kjo është edhe arsyeja kryesore pse deputetët e koalicionit CSU/CDU i kanë kërkuar Merkel “ta kthejë Ballkanin në fokusin e agjendës së politikës së jashtme gjermane”.