Site icon Telegrafi

Kushtetuta e re hyn në fuqi, por nuk zbatohet

Ndryshimet kushtetuese për Reformën në Drejtësi hynë në fuqi mesditën e të enjtes, pasi u mbushën 15 ditë nga botimi në Fletoren Zyrtare.

Sipas përcaktimeve të reja, organi i parë që duhet të zgjidhet deri të martën e ardhshme është Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, por Presidenti Nishani konstatoi se ka një ngërç për zbatimin e Kushtetutës.

Shkak është bërë mungesa e ligjit, i cili përcakton kriteret kualifikuese të kandidatëve për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Presidenti ka bërë disa konsultime për të gjetur mirëkuptimin e të gjitha grupeve parlamentare, për mënyrën sesi do t’i japë zgjidhje ngërçit kushtetues.

Por, sido që të jetë vendimi, ligji përkatës ende nuk është gati. Nga 7 ligjet e paketës së emergjencës, vetëm ligji i “vetting”-ut është përgatitur për fazën e diskutimit, që do të thotë se ndryshimet kushtetuese janë larg fazës së zbatimit edhe për të paktën dy muaj. /Telegrafi/

Exit mobile version