Telegrafi

Kushtetuta e Kosovës mbush njëmbëdhjetë vjet, Smaka: Përgjatë këtyre viteve u bënë lëshime e gabime (Video)

Prej njëmbëdhjetë vitesh, që kur u miratua Kushtetuta e Kosovës, sipas njërit prej hartueseve të saj ajo u shkel e u bënë lëshime kushtetuese të mëdha. Megjithatë, thuhet se nevojitet që për të ardhmen të bëhet edhe ndryshimi dhe plotësimi i saj.

Në njëmbëdhjetë vjetorin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, njëri ndër hartuesit e saj, Riza Smaka thotë se Kushtetuta e vendit përgjatë këtyre viteve, u shkel e u bënë lëshime të mëdha.

“Janë manifestuar lëshime të mëdha dhe të shpeshta nga institucionet e thirrura për zbatimin e saj. Kushtetuta nuk shkelet aq shumë sa në mënyrë indirekte. Bie fjala, nuk bëhet ligji në harmoni me Kushtetutën”, thotë për RTV Dukagjinin Riza Smaka.

Ai përmendi disa nga këto shkelje.

“Kemi Ligjin për shëndetësinë që është miratuar para disa viteve dhe nuk ekzekutohet. Pra në mënyrë implicite shkelet Kushtetuta. Pastaj ka raste kur Gjykata Kushtetuese ka dhënë opinione që praktikisht nuk janë në harmoni me frymën e Kushtetutës… Gjykata Kushtetuese nuk ka autorizime për të bërë norma, por atë e ka vetëm legjislativi”, tha ai, përcjell telegrafi.

Sipas tij, Kushtetutës i duhet edhe plotësim ndryshim i saj.

“Zgjedhje e Qeverisë duhet të normohet çartë… Pastaj politikat e jashtme. Tash për tash, presidenti është ekskluzivisht përfaqësues i shtetit dhe ekskluzivisht i autorizuar për të udhëhequr me politikat e jashtme të shtetit”, tha Smaka.

Njëmbëdhjetë vjet më parë, dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, është ratifikuar Kushtetuta e Kosovës në Kuvend. Ajo hyri në fuqi më 15 qershor të vitit 2008./RTV Dukagjini/Telegrafi/