Sot mbushen 41 vjet kur Kosova e miratoi aktin më të lartë juridik – Kushtetutën. Kjo ndodhi më 28 shkurt të viti 1974, ndërsa më 23 mars të vitit 1989 do të ndryshohet ajo me çka suprimohet autonomia e Kosovës.
Pas miratimit të kësaj Kushtetute, Kosova për herë të parë themeloi Kuvendin si organin më të lartë ligjvënës, pushtetin e ekzekutiv – që quhej Këshilli Ekzekutiv – kishte sistemin gjyqësor, si dhe kishte Gjykatën Kushtetuese.
Me miratimin e Kushtetutës së viti 1974, Kosova si krahinë fitoi kompetenca që ngritën debate dhe kundërshtime të fuqishme nga ana e Serbisë.
Ish-kryetari i Lidhjes Komuniste të Kosovës dhe ish-kryetari i Krahinës Autonome të Kosovës, Azem Vllasi, tha për KosovaPress se pakënaqësitë dhe kundërshtimet e Serbisë në lidhje me Kushtetutën e Kosovës së viti 1974 vinin me pretekst se Serbia po mbetet Republikë e padefinuar.
Vllasi tregoi se më 1976 Serbia kërkoi që edhe njëherë të rishikohen raportet e saj në mes të dy krahinave – Kosovës dhe atë të Vojvodinës. Ndërsa, pas largimit të Titos nga skena politike, Serbia në vitin 1980 prapë nxori në diskutim çështjen e Kushtetutës së Kosovës, me arsyetimin se Kosova ka arritur në një shkallë të lartë të pavarësisë.
“Kosova dhe Vojvodina refuzuan çfarëdo rishqyrtim i dhe ajo çështje shkoi te kryetari i shtetit, Josip Broz Tito. Ai e mbylli atë çështje me një konkludim se Kushtetuta e Jugosllavisë është aprovuar, kushtetutat e njësive federale janë aprovuar… Pas ikjes së Titos, më 1980 serbët e vlerësuan që shansi i parë është për ta nxjerrin nga sirtari atë temë. Ndërsa, dolën ngjarjet e viti 1981 që gjoja e destabilizuan Jugosllavinë. Preteksti ishte se Kosova ka arrit një shkallë të lartë të pavarësisë dhe se nuk mund ta kontrollojë situatën politikë të sigurisë”, tha Vllasi.
Ai tregoi se Kosova funksiononte me Kushtetutën e viti 1974 deri në vitin 1989, kur Presidenca e Jugosllavisë e shfrytëzoi kompetencën kushtetuese duke e krijuar gjendje të jashtëzakonshme. Me këtë mori fund pozita kushtetuese e Kosovës.
Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, Kosova futet në luftë. Pas luftës, ajo mbikëqyret nga ndërkombëtarët. Më 2008 shpallet shtet i pavarur. Më 9 prill 2008, Kosova miraton Kushtetutën e Republikës, me të cilën shteti edhe sot funksionon.
Në lidhje me dallimet në mes të Kushtetutës së vitit 1974 dhe asaj aktuale, Azem Vllasi, tani avokat, thotë se Kushtetuta aktuale lë hapësira të cilat ndikojnë që vendi të mos jetë plotësisht funksional.
“Në këtë Kushtetutë kanë mbetur disa vegëza që shtetin nuk e bëjnë krejtësisht funksional, ndërsa e dallon prej shteteve të tjera që kanë dalë prej ish-Jugosllavisë. Problemi më i madh është te dispozita kushtetuese, ku ndryshimet kapitale aprovohen me dy të tretat e deputetëve të Kuvendit, por që në ato dy të tretat duhet të jenë edhe dy të tretat e deputetëve të minoriteteve… Kushtetuta e atëhershme ishte akt që na siguronte një autonomi të plotë, përbrenda sistemit Jugosllav. Ndërsa, kjo është Kushtetutë e shtetit, kompromis i negociatave ku faktori ndërkombëtarë ka qenë drejtpërdrejtë i angazhuar”, shtoi Vllasi.