Site icon Telegrafi

Kushtetuta dhe kontrolli i partive

Në këtë fazë të ndryshimeve kushtetuese ku ka hyrë Kosova, do të duhej që pos ndryshimeve të dispozitave për Presidentin dhe dispozitave kalimtare, të shikohet mundësia për ndryshime edhe në pjesën që ka të bëjë me Gjykatën Kushtetuese – që t’i jepet asaj e drejta që në kompetencë ta ketë edhe çështjen e kushtetutshmërisë së partive politike dhe organizatave tjera.

Partitë politike janë mjet kryesor i lidhjes ndërmjet qytetarëve dhe shtetit. Roli që partitë e kanë në shoqëri, nuk mund të jetë i pakontrolluar, sepse përvoja nga e kaluara ka treguar se partitë mund të shkelin mbi parimet dhe vlerat kushtetuese dhe demokratike. Pikërisht për këtë arsye, Kushtetuta dhe ligjet themelore të shumë vendeve të botës, krahas evidentimit të rolit, peshës dhe rëndësisë që kanë partitë politike për zhvillimin e pluralizmin dhe të demokracisë në përgjithësi, parashikojnë edhe ndalimin e atyre partive që e mbështesin veprimtarinë në ideologji, në parime dhe rregulla që e dëmtojnë dhe kërcënojnë seriozisht demokracinë.

Ky funksion që kanë Gjykatat Kushtetuese në botë, është ndër më kryesorët. Shembulli më i mire është modeli i përdorur në Ligjin Themelor Gjerman, që konsiderohet si një ndër sistemet më të avancuara të modelit kushtetues, që është huazuar nga shumë vende postkomuniste të cilat për shumë kohë kanë vuajtur pasojat e veprimit të një partie të vetme e cila ka kontrolluar gjithë jetën institucionale, shoqërore dhe shtetërore – duke dalë edhe mbi ligjet dhe kushtetutën.

Kjo ka qenë njëra ndër arsyet më kryesore që këto vende kontrollin kushtetues të partive politike e kanë vënë ndër funksionet më kryesore të gjykatave të tyre kushtetuese. Dëshmi e kësaj është Kushtetuta e Shqipërisë, Kroacisë, Lituanisë, Polonisë, Sllovenisë etj.

Kur Gjykatat Kushtetuese merren me çështjen e kushtetutshmërisë së partive dhe organizatave tjera politike, zakonisht ndalen në dy çështje: së pari, nëse partia ose organizata politike është krijuar në përputhje me depozitat kushtetuese; së dyti: nëse veprimtaria e tyre përputhet me kushtetutën.

Në këtë fazë të ndryshimeve kushtetuese, institucionet do të duhej të mendonin për ta ngritur në rang kushtetues edhe çështjen e partive politike si dhe veprimtarinë e tyre. Kjo, ndër të tjera, edhe për t’iu bashkangjitur radhës së shteteve demokratike të cilat këtë çështje e kanë ngritur në rang kushtetues dhe u kanë dhënë rëndësi të veçantë, sepse partitë dhe organizatat politike janë brumi i krijimit të një shteti demokratik dhe funksional.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk i përmend në mënyrë shprehimore partitë politike, e as çështjen e pajtueshmërisë të veprimtarisë së tyre me Kushtetutën. Kësaj çështjeje ajo i referohet në mënyrë indirekte në nenin 44, që ka të bëjë me Lirin e Asociimit, e ku në pikën 3 thuhet: “Organizatat ose aktivitetet që kanë për qëllim cenimin e rendit kushtetuese, shkeljen e lirive dhe të drejtave të njeriut, ose nxitjen e urrejtjes racore, kombëtare, etnike a fetare, mund të ndalohen me vendim gjyqësor të gjykatës kompetente”.

Nëse e shikojmë me kujdes këtë formulim që i është bërë këtij paragrafi, mund të konkludojmë se hartuesit e Kushtetutës nuk e kanë pasur në mendje çështjen e kontrollit të krijimit dhe veprimtarisë së partive politike. Ky formulim që ka Kushtetuta duket së më shumë ka të bëjë me organizatat që kryejnë akte joligjore e për të cilat do të gjykoheshin në ndonjërën nga gjykatat e zakonshme në vartësi të çështjes.

Sa u takon subjekteve që do të ishin të autorizuara që të ngrehin çështjen e kushtetutshmërisë të partive politike para Gjykata Kushtetuese, mendojmë se kjo kompetencë do të duhej t’i jepej përveç Presidentit, Kryeministrit dhe deputetëve, edhe partive politike.

Kontrolli i veprimtarisë së partive politike paraqet një orientim thelbësor drejt vlerave demokratike.

(Autorët janë studentë në Fakultetin Juridik të Universitet të Prishtinës)
 

Exit mobile version