Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim lidhur me kërkesën që është parashtruar nga Shaban Syla i dënuar për vrasje në tentativë lidhur me llogaritjen e kohës së kaluar në arrest shtëpiak në shqiptimin e dënimit.
Shaban Syla më 9 shkurt të këtij viti i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës duke pretenduar se Gjykata Themelore e Prishtinës nuk i ka njohur kohën e plotë sa ka qëndruar në masën e arrestit shtëpiak.
Syla në dhjetor të viti 2012 ishte gjetur fajtor për veprën penale të vrasjes në tentativë nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë ndërsa më pas edhe nga Gjykata e Apelit e cila kishte vërtetuar këtë vendim.
Pas vërtetimit të dënimit nga Gjykata e Apelit, Syla kishte vazhduar procedurën për llogaritjen e dënimit ku më 29 mars 2016 Gjykata Themelore e Prishtinës vendosi ta përfshijë kohën e kaluar në arrest shtëpiak në kohën e llogaritjes së dënimit
Ndaj këtij vendimi Syla vazhdoi mospajtimin juridik duke ju drejtuar Gjykatës së Apelit e cila po ashtu e vërtetoi aktvendimin e Gjykatës Themelore lidhur me llogaritjen e kohës së kaluar në arrest shtëpiak.
Baza e ankesës së Shaban Sylës ishte se Gjykata nuk i ka njohur kohën e kaluar në arrest shtëpiak dhe atë periudhën kohore nga data 28 korrik 2011 deri më 23 mars 2015 në kohën sa ishte në procedurë gjyqësore, raporton KALLXO.com
“Nuk kërkoj as me shume as me pak vetëm atë qe ma njeh Kushtetuta e Republikës se Kosovës”, ishte kërkesa e Sylës.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka refuzuar si të papranueshme këtë kërkesë pasi që është kaluar afati ligjor i paraparë për dërgimin e një çështje në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se vendimi i kontestuar ankuesit i është dorëzuar më 7 qershor 2016 ndërsa ai Gjykatës Kushtetuese i është drejtuar vetëm më datë 9 shkurt 2017, pra më shumë se 3 muaj pas afatit prej 4 muajsh.
Shaban Syla ishte dënuar duke qenë njëri nga të akuzuarit e rastit që në publik u njoh si rasti “Bllaca”, rast ky që u iniciua pas deklaratave në publik të Nazim Bllacës. /Kallxo.com/