Telegrafi

Kushtet e vështira ekonomike shuan shpresën e madhe të boksit

Para pesë apo më shumë vjetësh, emri i një boksieri lakohej kur flitej për ata të së ardhmes. Sukseset e panumërta si junior, pastaj forca e shfaqur edhe në konkurrencë të seniorëve, bënë që Liridon Zeqiri të mendohet edhe si pasardhës i ndonjë prej yjve të viteve ’70 e ’80 të boksit kosovar.

Por, ai u shua si boksier pa nisur mirë karrierën, shkruan sot Koha Ditore.

Zeqiri tash 25-vjeçar, dy vite më parë u tërhoq nga boksi aktiv për të vazhduar me punë të tjera. Nisi studimet në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe të Sportit, si dhe aplikoi për t’u bërë pjesëtar i Policisë së Kosovës. Polic nuk është bërë ende, por po shpreson se do të bëhet, sikur që po shpreson në diplomimin e shpejtë në fushën e sportit.

“Me boks aktiv nuk merrem që nga turneu ‘Adem Jashari’ i mbajtur në vitin 2014”, tregon Zeqiri.
Aty pati fituar epitetin e boksierit më të mirë vendor. Kujton se meçi final ishte i 99-ti në karrierën e tij të shkurtë. Meçin jubilar nuk arriti ta zhvillojë.