Mungesa e kushteve të mira në vendin e punës është faktori kryesor nxitës që punonjësit të largohen nga vendi i punës. Largimi nga puna, si dukuri, është e theksuar kryesisht në ato vende ku niveli i papunësisë është i lartë, meqenëse punëdhënësit në këto vende janë më pak të vëmendshëm për sigurimin e kushteve të punës, për shkak të ofertës së madhe të fuqisë punëtore në tregun e punës.
Po ashtu edhe Kosova numërohet në mesin e shteteve që ka nivel të lartë të papunësisë. Ky niveli i papunësisë ka arritur në shifrat prej rreth 35 për qind nga popullsia aktive ekonomike, gjë që është një alarm i mundësisë për eksploatimin (shpërdorimin) e fuqisë punëtore edhe në vendin tonë.
Në anën tjetër, zbatimi i pjesshëm i Ligjit të Punës, niveli i ulët i pagave dhe mungesa e sindikatave në sektorin privat, janë faktorë që krijojnë hapësirë për shkeljen e të drejtave të punonjësve, e që pastaj ndikon edhe në rritjen e nivelit të qarkullimit (largimit nga puna). Veçanërisht inspektimi jo i vazhdueshëm i ndërmarrjeve nga inspektorati i punës dhe mungesa e sindikatave në sektorin privat, kanë përkeqësuar edhe më shumë kushtet e punës, me ç’rast punonjësit detyrohen të punojnë edhe jashtë orarit të punës për një pagë minimale.
Si rrjedhojë e gjithë këtyre, disa nga ndërmarrjet kanë rritur dozën e shpërdorimit të fuqisë punëtore, duke i shfrytëzuar ata me një orar prej 9 deri në 12 orë në ditë, madje në disa ndërmarrje punonjësve u mohohet edhe pushimi javor, që nënkupton se ata punojnë mbi 60 deri në 70 orë në javë. Ndërsa, Ligji Nr. 03/L-212 i Punës (Neni 20) parasheh deri në 40 orë punë brenda javës dhe (Neni 23) në raste të jashtëzakonshme, me rritjen e vëllimit të punëve dhe në raste të tjera të domosdoshme, me kërkesën e punëdhënësit punëtori duhet të punojë me gjatë se orari i punës (puna jashtë orarit), më së shumti deri në tetë (8) orë në javë, që nënkupton se punonjësit brenda një jave mund të punojnë maksimum deri në 48 orë.
Rezultatet e hulumtimeve kanë treguar se orari i gjatë i punës ka ulur performancën e fuqisë punëtore dhe rrjedhimisht është ulur edhe performanca e përgjithshme e ndërmarrjes. Po ashtu, orari i gjatë i punës ka ndikuar në shfaqjen e sëmundjeve fizike, psikike, dhe një sërë problemesh tjera sociale në jetën e punonjësve, përfshirë edhe nivelin e lartë të shkurorëzimeve për shkak të pamundësisë së kryerjes së obligimeve familjare. Pos këtyre, ka shkaktuar edhe shfaqjen e problemeve të tjera, si konsumi i tepërt i duhanit, alkoolit dhe ka rritur pasivitetin fizik të punonjësve, dukuri të cilat shkaktohen nga mungesa e motivimit për shkak të numrit të madh të orëve në vendin e punës.
Për këtë, pjesa më e madhe e shteteve kanë arritur që orarin e punës dhe kushtet tjera të punës ta rregullojnë me ligj dhe përmes kontratave kolektive. Në përgjithësi, shtetet e zhvilluara, me qëllim të rritjes së produktivitetit dhe performancës kanë hartuar programe më fleksibile të orarit të punës, duke lejuar që punonjësit të vijnë në kohërat kur ata mund të kontribuojnë më shumë dhe duke mundësuar praktika të tjera të avancuara, siç është puna me gjysmë orari, si dhe praktika të tjera që rrisin motivimin e të punësuarve.
Në një hulumtim të zhvilluar nga kompania ‘Mercer’, të cilët janë ofrues të shërbimeve të konsulencës, kanë konstatuar se në Francë orari i punës brenda një jave është deri në 35 orë, ndërsa Gjermania numërohet e dyta që ka më pak orë brenda javës, pra 38 orë në një javë. Që të dy shtetet janë prej shteteve më të fuqishme të Bashkimit Evropian, e të cilat kanë ndërmarrje të fuqishme që konkurrojnë në tregun global.
Pra, nga kjo mund të konkludojmë se forca e ndërmarrjeve nuk matet vetëm me masën e punës që bëjnë ato, por suksesi i ndërmarrjes arrihet me punonjës të motivuar të cilët mundësojnë prodhimin e produkteve/shërbimeve cilësore dhe të cilët po ashtu kontribuojnë për avancimin e ndërmarrjes. Rrjedhimisht ekzistenca e ndërmarrjeve të fuqishme në një vend është tregues i zbatimit të ligjit të punës, që punonjësve iu mundëson kushte të mira të punës.
Në anën tjetër edhe niveli i ulët i pagës është faktori tjetër që ndikon në rritjen e qarkullimit të punonjësve. Të punësuarit me nivel të ulët të pagës, për shkak të mungesës së motivimit, gjithmonë janë në kërkim të alternativave tjera. Zakonisht, niveli i qarkullimit të punonjësve është më i lartë në ato vende ku paga minimale është e ulët. Të dhënat e fundit tregojnë se edhe Kosova është në mesin e vendeve që kanë nivel të ulët të pagës.
Në vendin tonë të punësuarit deri në 35 vjeç si pagë minimale kanë 130 euro në muaj, ndërsa për të punësuarit 35-65 vjeç si pagë minimale kanë 170 euro në muaj. Ndërsa, në shtetet e zhvilluara paga minimale është 10 deri në 11 herë më e lartë se në Kosovë. Për shembull, paga minimale në SHBA në Janar të vitit 2015 ka qenë 1035 euro, kurse në Gjermani për herë të parë paga minimale mujore ka arritur në 1473 euro në muaj, ndërsa në Luksemburg ka arritur deri në 1923 euro në muaj. Raportet e fundit tregojnë se Kosova dhe Shqipëria janë dy vendet që aplikojnë pagesën minimale më të ulët në rajon.
Një nga faktorët më të rëndësishëm për krijimin e kënaqësisë dhe motivimit në punë është lartësia e pagës mujore. Paga nuk duhet të shihet vetëm si një përfitim ekonomik, por atë duhet parë si kompensim për kontributin e dhënë dhe po ashtu si tregues se sa një punonjës vlerësohet në vendin e punës. Për këtë, në vitin 1995 Clark dhe Osvald kanë bërë një studim për ndikimin e nivelit të pagës në rritjen e kënaqësisë në punë, përkatësisht rritjen e motivimit. Në përfundim të studimit është arritur në përfundimin se të punësuarit me nivel të ulët të pagës janë më pak të motivuar dhe punonjësit me pagë të lartë janë më të motivuar. Për këtë, ndërmarrjet e vendeve të zhvilluara kujdesen që kontributin e punonjësve ta kompensojnë aq sa ata meritojnë, madje ofrojnë edhe stimulime të tjera me qëllim të motivimit të tyre.
Pra, ulja e nivelit të qarkullimit të punonjësve arrihet me anë të krijimit të kushteve, gjë që rrit produktivitetin e ndërmarrjes dhe kjo mundëson edhe rritjen kredibilitetit të ndërmarrjes.
Nivel i lartë i qarkullimit të punonjësve, ndërmarrjes i shkakton probleme serioze. Për këtë, punëdhënësit ose menaxherët e ndërmarrjeve duhet të krijojnë kushte të mira për punonjësit, përfshirë rregullimin e orëve të punës që është në pajtim me ligjet e vendit tonë, pos saj ata duhet të kujdesen edhe për sigurimin e pagave që është e barasvlefshme me kontributin e treguar në vendin e punës. Mos plotësimi i kushteve themelore në vendin e punës në afat të gjatë ndërmarrjes i shkakton probleme serioze, që kontribuon në rritjen e nivelit të qarkullimit. Largimi i vazhdueshëm i punonjësve nga puna, ndërmarrjes i shkakton probleme serioze, sepse ndërmarrja duhet të angazhohet në plotësimin e pozitave të zbrazura. Natyrisht, ky proces është i mundimshëm dhe i shkakton ndërmarrjes shpenzime të mëdha. Në anën tjetër largimet e vazhdueshme krijojnë pasiguri për kandidatët potencialë për pozitat e zbrazura, ngase ata ngurojnë të konkurrojnë për shkak të së kaluarës jo të mirë të ndërmarrjes.
Për përmirësimin e kushteve të punës ka një rol të veçantë edhe Inspektorati i Punës, që duhet të rrisë numrin e kontrollit me qëllim të ushtrimit të presionit ndaj ndërmarrjeve të cilat janë të pakujdesshme në sigurimin e kushteve të punës. Po ashtu edhe institucionet e Republikës së Kosovës duhet të krijojnë kushte për organizimin e grupeve sindikale te ndërmarrjet private, me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve. Ngase, sipas raportit të Institutit GAP, punëtorët e asnjërës nga ndërmarrjet private nuk kanë organizim sindikal dhe kjo imponon nevojën që urgjentisht duhet të ofrohet mbështetja për formimin e grupeve sindikale.
Me ndërhyrjen e institucioneve të vendit tonë dhe me vetëdijesimin e punëdhënësve mund të përmirësohen kushtet e punës dhe në këtë mënyrë mund të pengohet masa e qarkullimit të punonjësve.