Telegrafi

Kushtet e Kroacisë për hyrjen e Serbisë në BE bëhen të detyrueshme

Kroacia ka siguruar që kushtet e saj të hyjnë në procesin negociues të Serbisë me Bashkimin Evropian, ka thënë shefi i diplomacisë kroate Miro Kovaç, njofton gazeta e Zagrebit Jutarnji list.

Ai ka theksuar se Kroacia vërtetë mund të jetë krenare ma arritjet e saj, transmeton Koha.net.

“Ia kemi dalë të sigurojmë që në procesin negociues të Serbisë të futen kërkesat tona legjitime të cilat janë të njohura për opinionin kroat: Bashkëpunimi i plotë i Serbisë me Gjykatën e Hagës, zbatimi i plotë i detyrimeve vendore e ndërkombëtare të Serbisë për mbrojtjen e minoriteteve, do të thotë edhe të drejtat e minoritetit kroat dhe po ashtu edhe evitimi i konflikteve të drejtësisë në procedimin e krimeve të luftës”, ka thënë Kovaç.

Ai ka theksuar se pa përmbushjen e këtyre kritereve nuk ka përparim në procesin negociues të Serbisë.

“Për këtë arsye Kroacia tani do të lejojë t’i qaset përcaktimit të masave, masave kalimtare, për kapitujt 23 dhe 24 në negociatat e Serbisë“, ka thënë shefi i diplomacisë kroate.

Në pyetjen se sa kohë mund të zgjasë kjo, ai është përgjigjur:

“Nëse të gjithë janë të shpejtë, nëse e gjithë ajo që kemi thënë integrohet, është e mundshme deri në fund të qershorit. Nuk vare nga ne. Ne tashmë jemi në Bashkimin Evropian”, ka thënë Kovaç duke falënderuar Komisionin Evropian, komisarin për Zgjerim Johannes Hahn dhe Presidencën holandeze për zgjidhjen e kësaj çështjeje.