Site icon Telegrafi

“Kushdo që merr rolin si lideri i Hamasit do të përballet me vdekjen”, deklaron gjenerali amerikan

Kushdo që merr rolin si lideri i ardhshëm i Hamasit do të përballet me një “dënim me vdekje” për shkak të numrit të udhëheqësve të lartë që janë vrarë tashmë nga Izraeli, ka deklaruar një gjeneral i ushtrisë amerikane në pension.

David Petraeus, ish-kreu i CIA-s dhe komandanti i forcave amerikane në Afganistan, tha se suksesi i Izraelit kundër udhëheqësve militantë ka qenë “mbresëlënës”.

Mirëpo, Hamasi nuk ka thënë ende se kush do të zëvendësojë liderin e tij të ndjerë Yahya Sinwar, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.

“Kush do të ngrihet tani? Mund të jetë vëllai i tij Mohammed? Duke pasur parasysh se sa udhëheqës janë eliminuar tashmë, edhe ai mund të përballet me një dënim me vdekje”, tha Petraeus.

Gjithashtu, ish-kreu i CIA-s tha se vdekja e Sinwar është “simbolikisht e rëndësishme”.

Për mënyrën se si vrasja e liderit mund të ndryshojë trajektoren e konfliktit, Petraeus tha se ndërsa është një “goditje e madhe” për Hamasin, i cili tashmë është “degraduar në mënyrë dramatike” gjatë një viti luftë, grupi është “vazhdimisht në proces të krijimit të Hamasit 2.0”.

“Problemi është se ju nuk mund ta shkatërroni me të vërtetë Hamasin nëse nuk i pengoni ata të rindërtohen”, përfundoi gjenerali. /Telegrafi/

Exit mobile version