Site icon Telegrafi

Kush do t’i prijë dialogut?

Në prag të takimit të ardhshëm ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, i cili është paralajmëruar për datën 7 shtator në Bruksel, në skenën politike në Kosovë, mbretëron gjendje konfuze, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Përderisa është paralajmëruar se presidenti Thaçi do të shkojë në takimin e 7 shtatorit në Bruksel, Qeveria e Kosovës ka formuar një ekip negociator, i cili nuk ka marrë mbështetjen e partive opozitare.

Njohësi i zhvillimeve politike, Milazim Krasniqi, shef i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se spektri politik në Kosovë e ka çuar dëm kohën e vlefshme për të arritur një konsensus lidhur me qasjen ndaj dialogut në Bruksel. Përkundrazi, sipas tij, janë ndjekur rrugë të ndryshme, të cilat tashmë kanë krijuar një konfuzion të përgjithshëm.

“Sot kemi një situatë paradoksale. Presidenti (Thaçi) ka një rrugë të veten dhe një politikë të veten të shpallur lidhur me dialogun. Qeveria formon një ekip, ndërkohë që një ekip për bisedime teknike ka ekzistuar edhe më herët. E tëra kjo tregon një gjendje konfuze dhe tregon një paaftësi të kësaj elite politike për të përballuar sfidat që gjenden përpara në procesin e shtet-ndërtimit dhe të rrumbullakimit të ndërtimit të shtetit”, theksoi Krasniqi.

Njohësit tjetër i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që qasja e Qeverisë së Kosovës për formimin e ekipit negociator ka qenë e papërshtatshme për arritjen e një uniteti. Sipas tij, kjo qasje ka qenë imponuese dhe ka qenë e pritshme që partitë opozitare ta refuzojnë atë. Megjithatë, as këto të fundit nuk kanë ofruar deri më tash ndonjë kundërpërgjigje konkrete.

“Ideja për krijimin e një ekipi negociator nga ana e Qeverisë është improvizuese dhe artificiale, si dhe nuk është e bazuar në realitetin politik. Ky ekip negociator nuk ka as cak, as ide se çfarë duhet të bëjë dhe deri ku shkojnë kompetencat e tij. Prandaj edhe puna e tij do të jetë e kotë, sepse nuk do të mund të koordinohet me presidentin Thaçi, e as me opozitën. Pra, do të jetë një trup i izoluar, i cili nuk do të mund të harmonizohet me mozaikun kompleks të këtyre negociatave”, tha Muhaxhiri.

Hahn s’e përjashton ndryshimin e kufijve: “Zgjidhja duhet t’i kontribuojë rajonit”

Por, kush do ta ketë roli kryesor të përfaqësimit të palës së Kosovës në bisedimet me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, të cilat siç është thënë duhet të përmbyllen me marrëveshje juridikisht obliguese? Presidenti apo ekipi negociator?

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, të martën ka deklaruar se shef i ekipit negociator është zëvendëskryeministri Fatmir Limaj. Megjithatë, roli kryesor në negociata, sipas tij, do të varet nga niveli i përfaqësimit që e përcakton Beogradi zyrtar.

“Varet si do të veprojë pala serbe. Nëse pala serbe do ta ketë shef dialogues presidentin e tyre, sigurisht që ne duhet ta vëmë presidentin tonë”, ka thënë Pacolli.

Pikërisht kjo ka shkaktuar konfuzionin, thonë njohësit e zhvillimeve politike, të cilët kanë shprehur mendimin se as vetë anëtarët e ekipit negociator nuk e dinë se cilat do të jenë raportet ndërmjet presidentit dhe këtij ekipi.

Profesor Krasniqi thotë se Kosova po hyn në procesin e negociatave me Serbinë, e papërgatitur dhe me krizë politike e morale.

“Situata është absolutisht konfuze. Formimi i këtij delegacioni, në njëfarë mënyrë, figurativisht thënë, është ‘për të hedhur hi syve’, sepse shefi i delegacionit – sipas të gjitha gjasave, i preferuar edhe i bashkësisë ndërkombëtare – është presidenti Thaçi. Homologu i tij Vuçiq, po ashtu ka marrë bajrakun në Serbi, ndonëse edhe ai përcillet me pakënaqësi nga Kisha (Ortodokse Serbe) dhe nga pjesë të opozitës. Pra, sigurisht që Thaçi do të jetë shefi i këtij procesi, me gjithë ngarkesat dhe problemet që tashmë bartë me vete ideja për korrigjimin e kufijve”, u shpreh Krasniqi.

Ndërkaq, Muhaxhiri shpreh mendimin që krijimi i ekipit negociator më shumë do të krijojë mundësi mosmarrëveshjesh me presidentit Thaçi, se sa unifikim të pozicionit politik në negociata.

“Jam shumë i sigurt që edhe brenda vet këtij ekipi, do të ketë konflikte dhe paqartësi. Në fakt, presidenti Thaçi do ta injorojë këtë ekip negociator, duke krijuar kështu edhe një animozitet më shumë në këtë peizazh kompleks dhe të komplikuar politik”, theksoi Muhaxhiri.

Sidoqoftë, njohësit e zhvillimeve politike kanë vlerësuar se situata konfuze ka nisur të krijohet që nga proklamimi i idesë nga presidentët Thaçi dhe Vuçiq, për ndryshimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas tyre, këtë konfuzion e ka stimuluar edhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, e cila ka nuk e ka përjashtuar ndryshimin e kufijve, si mënyrë e arritjes së një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Exit mobile version