Derisa mediat kanë filluar të përmendin emra për kandidatët eventual që do të kandidojnë për kryetar të Prishtinës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ende nuk është përcaktuar se kush do të jetë në garë për të parin e Prishtinës.
Së paku kështu kanë thënë burime të Telegrafit brenda LDK-së, sipas të cilëve në muajin maj do të përcaktohet emri i kandidatit të LDK-së për kryeqytetin.
Të pyetur se a pritet që njëri nga kandidatët e partisë së Mustafës, për kryetar të Prishtinës të jetë Ukë Rugova, i biri i ish – presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, nga LDK-ja kanë theksuar se “asnjëherë nuk është folur për emrat konkret”.
“Ajo që është diskutuar në parti ka qenë, se priten që propozimet të vinë nga nëndegët propozimet. Më pas janë duke u bërë hulumtime në terren për ta parë disponimin e qytetarëve të Prishtinës, se cila prej figurave gëzon mbështetje te masa”.
Ndryshe, sot në media është raportuar se një grup aktivistësh të nëndegëve të Qendrës, Dardanisë dhe Ulpianës kanë filluar takime intensive që djali i presidentit historik Ibrahim Rugova, Ukë Rugova të jetë kandidati i LDK-së për kryetar të Prishtinës.
“E kemi marrë këtë nismë sepse besojmë që elektorati i Prishtinës në mënyrë unanime do ta mbështeste Ukë Rugovën”, është shkruar në media.
Ndryshe, zgjedhjet lokale pritet të mbahen në muajin nëntor të këtij viti. /Telegrafi/