Qendra rekreative-sportive Kodra e Diellit, si asnjëherë më parë është në gjendje të mjerueshme, shkruan gazeta Koha. Turistët nga jashtë, por edhe nga vendi vijnë për të qëndruar gjatë, por ikin për një ditë. Ski-liftet nuk punojnë, bora nëpër shtigjet nuk është rregulluar për skiatorët, ndërsa ata që pësojnë janë hotelierët dhe bizneset në këtë pikë turistike. ELEM-i që menaxhon me Kodrën e Diellit vite me radhë, është treguar e pa interesuar për këtë pikë turistike, ndërsa as edhe një denarë investim nuk është bërë.
Situata nga viti në vit është duke u përkeqësuar, si në aspektin e infrastrukturës po ashtu edhe në aspektin e mirëmbajtjes së kësaj qendre. Krahas lënies pas dore të shtigjeve për skiatorët, shtypjes së borës, po ashtu disa nga skiliftet nuk punojnë. Drejtorët e caktuar nga ELEM heshtin, heshtin edhe nga Bordi drejtues për të dhënë ndonjë sqarim. Drejtuesit e kapaciteteve hotelerike ankohen për një sezon të dështuar dhe ikje të mysafirëve.
Nga ana tjetër, turistët vendor nuk mbajnë mend një gjendje të këtillë në Kodrën e Diellit. “Çdo vit vijmë në Kodrën e Diellit, por asnjëherë kështu nuk ka qenë. Ski-liftet nuk punojnë, shtigjet nuk janë të rregulluara, ka shumë gurë që nuk janë larguar dhe pengojnë gjatë skijimit dhe jemi të rrezikuar në çdo moment, për shkak të këtyre gurëve të mëdhenj që nuk janë pastruar me kohë.
Po ashtu në opinion përflitet se e tërë kjo situatë është shkaktuar me qëllim që mysafirët të ikin nga Kodra e Diellit dhe të shkojnë në Mavrovë. Vite me radhë kjo qendër ka shkëlqyer pasi ka pasur mysafirë nga shumë vende të Ballkanit dhe të Evropës. Tash nga ai shkëlqim nuk ka mbetur asgjë, pasi që kjo qendër shkon drejt shkatërrimit. Bizneset në këtë qendër që e kanë të vetmen shpresë për të mbijetuar sezonin dimëror, rrezikohen të mbyllen. Tash për tash kanë mbetur vetëm premtimet dhe shpresa se diçka do të përmirësohet.