Në Kosovë nuk ka demokraci sepse nuk ka pjesëmarrje të drejtpërdrejtë vendimmarrëse të popullit. Ka vetëm përfaqësim… Ç’është edhe më keq, edhe ky përfaqësim në realitet është një mashtrim. Nuk mund të gjesh asnjë shqiptar, ose fare pak, që do të thotë se politikanët dhe qeveritarët përfaqësojnë interesat e popullit. Nga njëra anë nuk lëmë gjë pa i thënë social-komunizmit, pronës shoqërore, nga ana tjetër nuk ofrohet ajo e cila i mungonte: prona legale private. Pra, sistemet vijnë në përballje tek prona dhe pronari. Thjesht është ndërruar retorika dhe forma, nga pushtetarët komunistë pa pronësi u krijuan "demokratët" e kuq shumë të pasur.
Athua njëmend erdhi Liria aq shumë e pritshme… E si u mbështoll me mëndafshin korruptiv dhe abuzimet e shumta në pushtet?
Si gjithherë zgjedhjet janë të ethshme për kandidatët. Ende pa u inauguruar shumica e shohin veten "VIP" persona. Nuk kanë edhe faj, ngase ky trembëdhjetë vjetësh lansoi milionerët e parë të Kosovës, me më shumë zero. Po të funksiononte drejtësia, shumë nga bartësit e vendeve udhëheqëse, por edhe zbatuesit e ligjit, do ta kishin vendin në strehimoren e kriminelëve-në burgje. Shumica e tyre janë abuzuesit, shkelësit dhe uzurpatorët e të ardhmes së Kosovës; ata janë fajtorët kryesor të varfërimit të Kosovës. Sigurisht që në të ardhmen do të publikohen raporte që do të pasqyrojnë aktet e tyre kriminale, që u sollën atyre përfitime enorme, por dëmtuan të ardhmen e qytetarëve duke zvarritur zgjidhjen statusore edhe për shkak të veprimeve të paligjshme.
Politikanët kanë ndërruar gëzofin, janë shndërruar dhe thirren në emër të demokracisë dhe proklamohen si demokratë, e në fakt janë një bisht i padukur i sistemit të kaluar kolonialist. Vetëm dhuna fizike është zbutur.
Tani pra është momenti për një ndryshim të saktë. Por, patjetër duhet marrim në konsideratë edhe diçka tjetër. Nëse ishte vjedhur vota duhet të zgjohej populli, dhe të mbronte votën.
Shqiptarët e përjetuan monizmin, diktaturën, komunizmin. E vërteta është se ajo kishte një fytyrë, ashtu çfarë ishte, shpeshherë përvëluese. E deklaronte atë që kishte dhe të përvëlonte nëse kaloheshin caqet. Erdhi "demokracia". Dhe, si të kuptohet kjo formë e demokracisë që nuk ka burimin nga populli dhe nuk buron nga sovrani – populli. Ne fakt, si në aspektin teorik edhe në atë praktikë zgjedhjet në Kosovë kanë shërbyer për t’u vetmashtruar.
Procesi i zgjedhjeve që solli përfaqësimin në tërësinë e tij, qysh nga propaganda deri ne votim, ishte një mashtrim (dyshoj edhe tash, sepse edhe zgjedhjet "me fusnotë" mbaheshin nën patronatin e zbatuesve të rezolutës 1244) dhe logjikisht zgjedhjet mund të konsiderohen si zgjidhje për të shtyrë përpara "dialogun" serbo-kosovarë, i premtuar nga BE-ja si kusht për modifikimin e rezolutës serbe për miratim nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së (që pasoi si kërkesë e Serbisë menjëherë pas opinionit këshillëdhënës të GJND-së, por edhe për të "shpëtuar" Qeverinë nga "linçimi" popullor, pas aq shumë dështimeve). Ky proces deri më tash ishte i manipuluar, ishte i blerë, i vjedhur nga shërbimet e huaja, grupet e mafias politike, apo interesat personale… Kjo të bënë të dyshosh se politikanët dhe qeveritarët tanë nuk kanë vendosur të përfaqësojnë interesat e popullit, por të atyre qe nëpërmjet manipulimeve dhe pagesave i sollën në pushtet.
Termi demokraci shërbente për të manipuluar popullin "budalla". Mirëpo, nuk del ashtu, sepse populli nuk është edhe aq i paditur. Abraham Linkolni thoshte: "Ju mund të gënjeni të gjithë popullin për një kohë, ju mund të gënjeni një pjesë të popullit për të gjitha kohërat, por ju nuk mund të gënjeni të gjithë popullin për të gjitha kohërat". Do ta korrigjoja frazën në "shpresojmë që populli mos te tregohet aq ‘budalla’ në të ardhmen”, e të zgjedhë të keqen më të vogël. Sepse, tash për tash nuk mund të zgjedhë të mirën, sepse nuk është ende sovran.
Si pra qytetarët pranuan zgjedhjet e dirigjuara dhe të imponuara? Si t’ia falin ata vetes që votuan disa herë radhazi në zgjedhjet nacionale dhe ua dhanë votën të njëjtëve që nuk bën gjë për të ardhmen, atyre që vodhën edhe thesarin popullor, fondet popullore? Pse pra nuk kuptuan që përgjegjësia e tyre është e shumëfishtë? Si u votuan ata që nuk interesohen për shëndetin e popullit? A do të duhej të shpërbleheshin të njëjtit, apo duhet të ndëshkoheshin, bile me votë?
E kuptoj se njerëzit dolën nga një regjim i rreptë kriminel, e kaluan edhe luftën, por nuk mund te thuhet se tash e kemi demokracinë parlamentare të instaluar, ngase nuk e kemi. Është thjesht liri dhe vetëm liri e shthurur pa ligje të së drejtës. Thjesht, qytetarët janë ata që duhet ta ndryshojnë gjendjen dhe ta bëjnë ashtu siç duan. Në fillimet e para të "demokracisë" ishin po ata që nuk dinin çfarë kërkonin, sepse nuk kishim jetuar në një sistem të tillë. Tani që kemi provuar diçka (ka ende shumë për të parë) mund të themi të paktën atë qe nuk duam dhe atë që duam.
Sistemet kthehen tek prona dhe pronari. Mendoj që është i saktë ky definicion. E kujt është prona nëse ajo nuk është e sovranit? E si mund të ketë popull sovran pa sovranitet? Cila është arsyeja e kërkesës për bisedime serbo-kosovare, që quheshin teknike? Nëse është ashtu, pse ato duhen sponsoruar nga BE-ja, ngase kufiri Kosovë-Serbi është poroz, apo thënë troç është i hapur dhe ky fakt pamundëson BE-në për ta inkuadruar më shpejt atë (Serbinë) në strukturat e saj. Kjo ishte karota evropiane për Serbinë, ndërsa shkopi ndëshkues për Kosovën e cila mbeti e fundit në proceset integruese. Edhe pse BE-ja është në Kosovë, ajo u përjashtua nga BE-ja, u getoizua. Sa herë që mbahet ndonjë takim i rëndësishëm ndërkombëtar, Kosova duhet të bëjë koncesione, pa fituar gjë!
Pra, qytetari duhet të mendonte mirë kujt t’ia jap votat më shumë, e kujtë më pak. Le të shpresojmë që do të vijë dita që edhe qytetari i Kosovës do ta shijojë demokracinë me plot kuptimin e fjalës.
Kur?
Për çdo gjë duhet kohë dhe për këtë duhet vërtet kohë për të arritur një ndryshim të madh. Bile angazhim dhe përpjekje. Por, edhe ndërgjegjësim dhe ndëshkim për ata që premtuan dhe nuk mbajtën premtimez.