Gati një vit pas zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare, subjektet opozitare në Kosovë nuk kanë ndonjë koordinim në veprimet e tyre karshi Qeverisë.
Në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, opinionistë e politikanë kanë komentuar rolin e opozitës në Kosovë gjatë kësaj periudhe.
Ylli Hoxha thotë se LDK e PDK më shumë janë marrë me veten se me qeverinë.
Sipas tij kjo ka sjellë rezultate në zgjedhjet e fundit lokale që pak kush i ka pritur.
“Unë shpresoj që këtë shembull ta ndjekë edhe AAK-ja. Pra zoti Haradinaj duhet ta kuptoj që ka skaduar koha e tij politike. Sa më shpejt që ai iu lëshon rrugë kuadrove si Kryetari i Gjakovës apo Besnik Tahiri më mirë do të ishte për AAK-në dhe për të”, deklaroi Hoxha, përcjell Telegrafi.
Ish-zëvendësministri i Jashtëm, Anton Berisha thotë se Lumir Abdixhiku dhe Memli Krasniqi nuk kanë pasur prioritet që të marrin rolin udhëheqës të opozitës.
“Ata janë përkujdesur që të konsolidojnë pozicionin e tyre në parti. Edhe në zgjedhje lokale u pa që ata kanë lënë kandidatët e tyre të zhvillojnë garën për komunat që edhe dha rezultate. Ndoshta ata janë duke pritur grumbullimin e gabimeve të Qeverisë për të bërë më pas opozitën e plotë”.
Berisha shton tutje se LDK e PDK do të duhej të bëjnë një opozitë në raport me qeverisjen bazuar në përvojën e së kaluarës.
“LDK e PDK kanë shumë material për shkak se qeverisja është shumë e dobët. AAK më shumë ka përvojë në temat politike”, deklaroi tutje Berisha.
Dardan Gashi thotë se Ramush Haradinaj është duke luajtur rolin e liderit të opozitës me temat që po nxjerr në publik.
“Liderët e LDK-së e PDK-së kanë një hendikep pasi që të dy kanë mandate të shkurtuar dy vjeçar”, deklaroi Gashi.
Bujar Dugolli thotë se vendi ynë ka nevojë për një opozitë që ka dimensione shumë më të gjera se debatet në parlament.
“Opozitën në Kosovë shumë më tepër e kanë bërë mediat, shoqëria civile e më pak nga strukturat akademike të vendit. Në parlament ka pasur përpjekje për të nxjerrë disa kundërshtime që shpesh herë kanë dalë qesharake”, deklaroi tutje Dugolli./Telegrafi/