Vetëm një në 25 shqiptarë që aplikoi për azil në një nga 27 vendet e Bashkimit Europian në dy muajt e parë të vitit u pranua.
Të dhënat nga Agjencia e Bashkimit Europian për Azilin tregojnë se nga gati 1 mijë e 400 kërkesa, vetëm 56 vetë fituan statusin e azilantit.
“Është e pajustifikuar që një qytetar shqiptar të kërkoj azil në vendet e Bashkimit Europian pasi vendit është i sigurt, nuk kemi ndonjë luftë apo situata të tjera emergjente. Ato raste që pranohen kryesisht janë të lidhura me nevoja shëndetësore. Pjesa tjetër është e destinuar për të mos u pranuar”, tha Nirvana Deliu, eksperte e çështjeve të emigracionit.
Ndërkohë kush kishte për të ikur, iku. Të dhënat nga Agjencia për Azilin e Bashkimit Europian tregojnë numri i shqiptarëve që aplikojnë për azil po ulet. Në raport me periudhën janar-shkurt 2023, këtë vit pati gati 17 për qind më pak kërkesa. Po çfarë po ndikon në uljen e numrit të kërkesave për azil?
“Në radhë të parë është legjislacioni, strategjitë. Strategjia për menaxhimin e emigracion dhe kufijve. Është punuar gjithashtu në drejtim të ndërgjegjësimit, por ende k nevojë për fushata promovimi”, u shpreh ekspertja.
Të dhënat nga Agjencia e Bashkimit Europian për Azilin tregojnë se në harkun e muajve janar-shkurt, pjesa më e madhe e shqiptarëve kërkuan azil në Francë, ndjekur nga Italia, Gjermania, Belgjika dhe Greqia./A2 CNN