Site icon Telegrafi

Kush ka të drejtë të përfitojë shërbime ligjore falas? Faton Jashari nga Agjencia për Ndihmë Juridike shpjegon kushtet dhe kriteret

Agjencia për Ndihmë Juridike Falas e Kosovës, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ka vazhduar t’u ofrojë shërbime juridike falas qytetarëve, veçanërisht grupeve të margjinalizuara dhe atyre që nuk kanë mjete financiare.

Në episodin e radhës të podcastit për të drejtat pronësore në Telegrafi, me redaktoren Jehona Hulaj, Faton Jashari, U.D. Drejtor i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, u shpreh se qëllimi kryesor i kësaj strukture është që të sigurojë qasje të barabartë në drejtësi për çdo qytetar të Kosovës.

Jashari shpjegoi se Agjencia ofron shërbime juridike për qytetarët që përballen me vështirësi financiare, duke përfshirë këtu gjithashtu grupe të ndryshme cenueshme, si ata me aftësi të kufizuara, pensionistë, dhe familje me kushte të vështira ekonomike.

“Ne jemi të angazhuar që të sigurojmë që çdo qytetar, pavarësisht kushteve financiare, të ketë mundësi të ketë qasje në drejtësi,” tha Jashari, duke shtuar se kjo Agjenci ofron shërbime falas për të gjitha ata që kanë nevojë, duke përfshirë çështje civile, penale dhe administrative.

Jashari foli gjithashtu për rëndësinë e bashkëpunimit të Agjencisë me ATRC-në (Qendrën e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim).

U.D. Drejtor i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, Faton Jashari

Ky bashkëpunim ka sjellë një iniciativë të rëndësishme për regjistrimin e pronave në komunat e Kosovës, duke ofruar mbështetje dhe këshilla ligjore falas për qytetarët që kanë vështirësi të regjistrojnë pasuritë e tyre.

“Një nga fushat kryesore të bashkëpunimit tonë me ATRC-në është ndihma juridike për qytetarët që kanë probleme me regjistrimin e pronave, të cilët shpesh përballen me barriera burokratike dhe ligjore që e bëjnë procesin të vështirë,” tha Jashari gjatë intervistës në Telegrafi.

Ai theksoi se një nga objektivat kryesore të Agjencisë është që të adresojë çështjet pronësore, të cilat janë një nga problemet më të zakonshme për qytetarët në Kosovë.

“Regjistrimi i pasurisë është një temë shumë e rëndësishme dhe ne duam të sigurojmë që qytetarët të kenë njohuri dhe mbështetje ligjore për të realizuar të drejtat e tyre pronësore. Kjo është një mundësi për ta fuqizuar ata dhe për t’u siguruar që të kenë një status të qartë dhe të sigurt për pasuritë e tyre,” shtoi Jashari.

Një nga risitë që ka sjellë Agjencia për Ndihmë Juridike Falas në shërbim të qytetarëve është përdorimi i zyrave mobile, të cilat i mundësojnë qytetarëve që të marrin këshilla dhe mbështetje juridike pa pasur nevojë të udhëtojnë nëpër qytetet e mëdha.

“Kjo është një mundësi shumë e rëndësishme, veçanërisht për qytetarët në zona të largëta, ku mundësitë për t’u përballur me problemet juridike janë më të kufizuara,” shpjegoi Jashari, i cili tha se kjo zyrë mobile aktualisht ndodhet në komunën e Obiliqit.

Jashari theksoi se në këtë komunë kjo zyrë do të qëndroj për dy muaj dhe pastaj do të lëviz në komunat tjera Ai shtoi se zyra mobile mund të trajtojë të gjitha llojet e rasteve, duke përfshirë ato civile, penale dhe administrative.

Për qytetarët që duan të përfitojnë nga shërbimet, Jashari shpjegoi se ka disa kritere që duhet plotësuar.

“Qytetarët duhet të jenë shtetas të Republikës së Kosovës, të kenë një status financiar të vështirë ose rast social, dhe duhet të kenë një bazë juridike të fuqishme për kërkesën e tyre,” tha ai, duke shtuar se procedura ligjore për verifikimin e një aplikuesi nëse ka plotësuar këto kritere është pesë ditë.

U.D. Drejtor i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, Faton Jashari

Jashari theksoi gjithashtu se Agjencia ka trajtuar mbi 7,000 raste gjatë vitit të kaluar dhe ka vazhduar të zgjerojë shërbimet për qytetarët, për të siguruar që të gjithë ata që kërkojnë ndihmë juridike të mund ta kenë atë.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë që të ofrojmë shërbime më të mira dhe më të shpejta për qytetarët dhe të rrisim ndërgjegjësimin mbi të drejtat e tyre ligjore,” tha Jashari.

Ky angazhim i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas është një hap i rëndësishëm drejt sigurimit të një sistemi të drejtësisë më të barabartë për të gjithë qytetarët, duke u siguruar që askush të mos mbetet jashtë procesit të drejtësisë për shkak të pamundësisë financiare. /Telegrafi/

Ky publikim është prodhuar nga Telegrafi në kuadër të projektit PIAKOS, zbatuar nga ATRC dhe financuar nga Banka Botërore – Fondi për Paqe dhe Shtet-Ndërtim. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e ATRC-së dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bankës Botërore, Fondit për Paqe dhe Shtet-Ndërtimin, apo Telegrafit.
Exit mobile version