Site icon Telegrafi

Kush janë ushtritë mercenare ruse (PMC) që po luftojnë nëpër botë në emër të Kremlinit?

Deri sa Shtetet e Bashkuara të Amerikës po largojnë forcat e tyre ushtarake nga Afrika, Lindja e Mesme dhe Azia Jugore, Rusia po zgjeron ndikimin e saj në këto zona dhe vendet e tjera. Mirëpo, në vend që të vendosë ushtarë të rregullt, Moska u është drejtuar forcave të operacioneve speciale, njësive të inteligjencës dhe kompanive private ushtarake të njohura si PMC, siç është grupi mercenar Wagner.

Strategjia e Rusisë është e drejtpërdrejtë: të minojë fuqinë amerikane dhe të rrisë ndikimin e Moskës duke përdorur forca të profilit të ulët, siç janë PMC-të që mund të bëjnë gjithçka, shkruan Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS), përcjell Telegrafi.

Përdorimi i këtyre forcave mercenare nga Moska, kohëve të fundit është rritur, duke marr për bazë mësimet e nxjerra nga prezenca e më hershme – një mendim ekspansionist – dhe dëshira për fitime ekonomike, gjeopolitike dhe ushtarake.

Ukraina shërbeu si një nga arsyet e para provuese për PMC-të. Rusët më pas perfeksionuan modelin pasi këta mercenarë privatë punuan me forcat lokale të vendeve si Siria dhe Libia. Me kalimin e kohës, Moska zgjeroi përdorimin e këtyre forcave në Afrikën Nën-Sahariane, Amerikën Latine dhe rajone të tjera, përfshirë vendet si Sudani, Republika e Afrikës Qendrore, Mozambiku, Madagaskari dhe Venezuela. PMC-të tani plotësojnë role për të minuar ndikimin e SHBA-së dhe për të mbështetur interesat gjeopolitike, ushtarake dhe ekonomike të Rusisë.

Me operacione të dyshuara në më shumë se 30 vende në katër kontinente, PMC-të kanë të ngjarë të luajnë një rol në konkurrencën strategjike ruse.

Përhapja e aktiviteteve nga viti 2014

Rroli i PMC-ve ruse

Edhe pse PMC-të janë teknikisht të paligjshme sipas Nenit 13.5 të Kushtetutës Ruse, disa nga aleatët më të afërt të presidentit Vladimir Putin – si Yevgeny Prigozhin – drejtojnë këto ushtri mercenare. Një përbërës i strategjisë së Rusisë për “luftën hibride”, PMC-të i sigurojnë Kremlinit një mjet i cili ndjekë objektivat, duke plotësuar ose zëvendësuar forma më tradicionale në ndërtimin e shtetit.

Përmes përdorimit të PMC-ve, Moska mund të mbështesë partnerët shtetërorë dhe jo-shtetërorë, të nxjerrë burime, të ndikojë në udhëheqësit e huaj dhe të angazhohet në aktivitete të tjera që çojnë më tej qëllimet e politikës së jashtme ruse.

Mercenarët e PMC-ve janë më pak të rrezikshëm se ushtarët rusë, veçanërisht nëse ata vriten gjatë misioneve luftarake apo në stërvitje.

Operativët e PMC-ve ndërtojnë rrjete të inteligjencës për të mbledhur informata për vendimmarrësit e Kremlinit, duke përfshirë ndikimin politik, veprimet e fshehta dhe aktivitete të tjera klandestine.

Baza ajrore Al Jufra në Libi

PMC-të dhe firmat shoqëruese i japin Moskës hapësirën për të zgjeruar ndikimin tregtar dhe ekonomik në botë.

Zakonisht të drejtuar nga oligarkët e lidhur me Kremlinin, përfitimet e PMC-ve i japin atyre mundësi që të sigurojnë besnikërinë e Putinit.

Moska i përdor këto grupe për të rritur perceptimin botëror lidhur me fuqinë ruse, ndërsa përhap narrativet pro-ruse në mjedise të huaja përmes medieve dezinformuese.

Po ashtu, PMC-të shërbejnë si një mjet për të zgjeruar “fuqinë e butë” ruse, duke përfshirë temat e “patriotizmit rus” dhe identitetit sllav midis qytetarëve me mendje ideologjike si në ish-shtetet Sovjetike dhe të Ballkanit.

Trajnimi i mercenarëve

PMC-të kryejnë trajnime përpara se të vendosen jashtë vendit, duke përdorur bazat brenda Rusisë, me mbështetjen e ushtrisë dhe agjencive të inteligjencës ruse.

Grupi më i madh paramilitar rus i njohur si Wagner, zhvillon trajnimin në bazën e Brigadës së 10-të të Misionit Special të GRU-së në Mol’kino.

Baza kryesore përmban një shtab, një vend për stërvitje ajrore, magazinën e armëve dhe objekte përcjellëse ushtarake.

Baza e grupit Wagner

Në veri të kësaj baze, Wagner ka një strukturë të veçantë. Baza Wagner ka të ngjarë të jetë ndërtuar midis viteve 2015 dhe 2016, përfshin afërsisht gjashtë hektarë dhe përbëhet nga nëntë struktura të përhershme me madhësi të ndryshme. Në jug të kësaj baze, është njësia e raketave balistike me rreze të shkurtër veprimi (SRBM), si dhe një bazë të brendshme e paidentifikuar dhe hapësira të tjera trajnimi.

Ndikimet e PMC-ve

PMC-të i sigurojnë Kremlinit një mjet për të projektuar fuqinë dhe ndikimin, siç është demonstruar kohëve të fundit në Bjellorusi.

Këto tregojnë se si Rusia po planifikon të konkurrojë me Shtetet e Bashkuara, veçanërisht ato vende që janë të dobëta, të vendosura në mënyrë strategjike dhe të pasura me burime natyrore.

Këto forca paramilitare janë një instrument rus që përfshijnë veprime të fshehta, operacione kibernetike dhe aktivitete të tjera mercenare në të gjithë botën.

Megjithatë, aktivitetet e tyre nuk kanë qenë gjithmonë të suksesshme. Në Libi, për shembull, Rusia dhe PMC-të e saja pësuan humbje serioze. /Telegrafi/

Exit mobile version