Federata e Futbollit të Kosovës ka zyrtarizuar tre ndeshje miqësore që do t’i zhvilloj Përfaqësuesja e Kosovës, dy në mars dhe një në qershor.
Përkundër se jemi në pritje të trajnerit të ri, Dardanët do t’i zhvillojnë dy duele miqësore në muajin mars dhe një tjetër në qershor, por pritet të konfirmohet edhe një duel tjetër miqësor për qershorin.
Fillimisht më 22 mars, Dardanët do të luajnë kundër Armenisë në Yerevan, derisa më pas më 26 mars do të përballen me Hungarinë, në Budapest.
Ndërkaq, testin e radhës, Kosova do ta ketë më 5 qershor, ku do të luajë kundër Norvegjisë, në Oslo.
Bëhet fjalë për tri përfaqësuese shumë të forta, sidomos ajo e Hungarisë dhe Norvegjisë ku në radhët e veta kanë yje të mëdhenj të futbollit evropian.
Më poshtë iu sjellim edhe një historik të tre kundërshtarëve të ardhshëm të Kosovës me vlerat e tyre që kanë, yllin kryesor të Përfaqësueses dhe ku ndodhën në renditjen e shtëpisë më të madhe të futbollit botëror, FIFA.
Kosova asnjëherë në historinë e saj nuk është përballur me tre Përfaqësueset si Hungaria, Norvegjia e Armenia.
Armenia
Përfaqësuesja e Armenisë është kundërshtari i parë i Kosovës për vitin 2024 dhe kjo ndeshje do të zhvillohet në Yerevan më 22 mars.
Armenët në kualifikimet për Euro 2024 ishin në Grupin D me Turqinë, Kroacinë, Uellsin dhe Letoninë, derisa e mbyllën në pozitën e katërt me tetë pikë.
Kjo përfaqësuese ka një vlerë totale prej 40,73 milionë euro, derisa ylli kryesor i skuadrës është mesfushori ofensivë i Krasnodar, Eduard Sperstsyan që ka një vlerë prej 18 milionë eurove.
Armenia në ranglistën e fundit të përditësuar nga FIFA zë vendin e 93-të.
Hungaria
Dueli i dytë i Kosovës për vitin 2024 zhvillohet ndaj Hungarisë në kryeqytetin e këtij shteti Budapest më 26 mars.
Hungaria në kualifikimet për Euro 2024 ishin fantastik, ku përfunduan të parët në Grupin G me 18 pikë pas tetë ndeshjeve duke mos pësuar asnjë humbje.
Kjo përfaqësuese ka rritje të ndjeshme viteve të fundit, derisa vlera e tyre shkon në 150 milionë euro. Ndërkohë ylli kryesor i Hungarisë padyshim se është mesfushori i Liverpoolit, Dominik Szovoszlai që vlerësohet 75 milionë euro.
Hungaria në ranglistën e fundit të përditësuar nga FIFA është më së larti nga kundërshtarët e Kosovës dhe zë vendin e 27-të.
Norvegjia
Ndërkohë dueli i tretë i Kosovës për vitin 2024 dhe i pari për muajin qershor do të zhvillohet në kryeqytetin e Norvegjisë Oslo, ku Dardanët përballen me Norvegjinë më 5 qershor.
Në kualifikimet për Euro 2024, Norvegjia nuk ia doli të marrë një biletë kualifikimi pasi përfundoi në vendin e tretë me 11 pikë, duke mbetur pas Skocisë dhe Spanjës.
Vikingët kanë një vlerë shumë të lartë, pasi totali i Përfaqësueses së tyre është 343,65 milionë euro derisa ylli më i madh është Erling Haaland që vlerësohet 180 milionë euro.
Në ranglistën e publikuar nga FIFA, Përfaqësuesja e udhëhequr nga trajneri Stale Solbakken zë vendin e 44-të. /Telegrafi/