Telegrafi

Kush janë të burgosurit amerikanë që mbetën në Rusi?

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia realizuan këmbimin më të madh të burgosurve në periudhën post-sovjetike, një marrëveshje që përfshiu lirimin e 24 të burgosurve, pas negociatave që zgjatën me muaj dhe lëshimeve të vendeve evropiane, të cilat liruan individë që i mbanin nëpër burgjet e tyre si pjesë të këtij këmbimi.

Ndonëse marrëveshja e së enjtes përfshin amerikanët më të njohur që u mbajtën në Rusi, përfshirë dy nga të cilët u konsideruan zyrtarisht si të burgosur padrejtësisht, janë edhe disa amerikanë të tjerë që mbeten në Rusi.

Mes tyre janë artisti i muzikës rock, Travis Leake, i dënuar nën akuza droge, që po vuan burg; ushtari amerikan Gordon Black, i shpallur fajtor për vjedhje dhe për kërcënim për vrasje; Marc Fogel, mësues që po vuan dënim nën akuza droge dhe Ksenia Khavana, e cila u arrestua në Yekaterinburg në muajin shkurt për tradhti, nën akuzat se ka mbledhur fonde për ushtrinë e Ukrainës.

Lexo po ashtu Si negociuan shkëmbimin SHBA-ja dhe Rusia: Dy vjet bisedime sekrete dhe një vdekje që gati sa nuk shkatërroi gjithçka

Khavana u kthye në Rusi për të vizituar familjen. Pronari i një salloni bukurie në Kaliforni ku Khavana ka punuar në të kaluarën, i tha agjencisë Associated Press se Khavana në fakt po grumbullonte fonde për ndihma humanitare.

Në një deklaratë shtypi pas shpalljes së marrëveshjes, familja e Fogelit tha se është “e pakuptimtë” që ai nuk është përfshirë në marrëveshje dhe i bëri thirrje administratës së presidentit amerikan, Joe Biden ta bëjnë përparësi lirimin e tij, raporton zëriamerikës.

Një zyrtar i lartë i administratës, i cili foli me gazetarët para këmbimit me kusht të mos identifikohet sipas rregullave të Shtëpisë së Bardhë, tha se administrata do të dyfishojë përpjekjet për t’i kthyer të gjithë amerikanët në shtëpi.

Të liruar

Në mesin e 24 individëve – disa të profilit të lartë e disa jo – ishin gazetarë, disidentë politikë, spiunë të dyshuar, një haker kompjuterësh, një mashtrues dhe një i dënuar për vrasje.

Rusia liroi 16 individë, përfshirë gazetarin e ‘Wall Street Journal’ Evan Gershkovich dhe ish-marinsin Paul Whelan, një drejtues sigurie i një korporate në Miçigan. Të dy përballeshin me dënime të gjata në burg pasi u shpallën fajtorë për spiunazh në sistemin e politizuar ligjor të Rusisë, akuza të cilat qeveria amerikane i cilësoi si të pabaza.

Lexo po ashtu Si u krijua skena për shkëmbimin më të madh të të burgosurve që nga Lufta e Ftohtë

Në mesin e të liruarve nga Moska është edhe gazetarja e Radio Evropës së Lirë, Alsu Kurmasheva, e cila ka shtetësi të dyfishtë amerikano-ruse dhe që u dënua në muajin korrik për shpërndarje të informacionit të rremë për ushtrinë ruse – akuza të cilat familja dhe Evropa e Lirë i kanë mohuar.

Tre amerikanët mbërritën të enjten mbrëma në bazën ushtarake Andrews, në Marylend, ku u pritën nga presidenti maerikan, Biden dhe zëvendëspresidentja, Kamala Harris.

Rusia gjithashtu liroi kritikun e Kremlinit dhe fituesin e çmimit Pulitzer, Vladimir Kara-Murza, i cili po vuante një dënim prej 25 vitesh burg për tradhëti, që konsiderohej si i motivuar politikisht.

Prej të burgosurve që Rusia i mori në këmbim është Vadim Krasikov, i dënuar në Gjermani për vrasjen e një kryengritësi çeçen në një park në Berlin para dy vitesh, me gjasë me urdhrat e shërbimeve ruse të sigurimit. Në mesin e të burgosurve ishin edhe dy agjentë “të fjetur” të cilët ishin të burgosur në Slloveni, tre të dënuar nga autoritetet amerikane dhe dy nga Norvegjia dhe Polonia. /Telegrafi/