Ish i burgosuri politik Muharrem Bobaj ka zbuluar emrat e disa shqiptarëve që shërbenin në UDB-në famëkeqe dhe ishin përgjegjës për torturat ndaj tij dhe të tjerëve.
Emrat që përmendi Bobaj janë: Daut Morina, Astrit Koshi, Sahit Zogaj, Xhemali Shasivari dhe Vesel Krasniqi. Sipas Bobajt, Vesel Krasniqi ishte më i tmerrshmi ndër ta, i njohur për përdorimin e torturës brutale dhe dhunës fizike.
“Veseli më ka shkatërruar jetën, ka qenë njeriu më i prishtë, me fyerje e dhunë fizike. Më thoshte O Muharrem Bobaj, qit Kosovën që pe don Republikë, Republikën e nanës e babës, juve Korishën duhet me ju rrethu në tel, O Muharrem Bobaj ta mrriftë ymri në vitin 2000 në atë kodrën çka të bajsh me dorë ka me kon e jotja, kom me ta q* nanen ty e familjes s’keni me jetu kërkush”, ka rrëfyer Bobaj.
Bobaj rrëfeu sesi Krasniqi përdorte fyerje të rënda dhe dhunë për të frikësuar dhe poshtëruar të burgosurit politikë. Ai përshkroi një rast të tmerrshëm ku Krasniqi dhunoi një nga shokët e tij me një shkop gome.
“Veseli një shok me pendrek (shkop gome) e ka pas dhunuar në zorrë të trashë. Unë kur ma kanë sjellë natën, mu ka dashtë më kollodont të dhëmbëve ia kam lyer prapanicën. Kësi tmerri ka pasur. Kaq i tmerrshëm ka qenë”, ka thënë Bobaj në “Debat Plus”.
Ndonëse i torturuar së bashku më vëllain, Bobaj në fund ka kërkuar që të mos ketë hakmarrje e urrejtje ndër shqiptarë
“Le të përfundojë me gjeneratën tonë. Janë gjëra të hidhura të rënda, fyerjet janë më të rënda sesa dhuna. Vrasja është shumë më e mirë, më e lehtë, e pastër”.