Telegrafi

Kush janë shqiptarët e UDB-së që i përmendi ish i burgosuri politik Basri Musmurati

Ish i burgosuri politik, Basri Musmurati, ka zbuluar emrat e disa shqiptarëve që ishin pjesë e Drejtorisë/Agjencisë së Sigurimit Shtetëror, e njohur si UDB.

Musmurati, në “Debat Plus” të RTV Dukagjini, ka përmendur Selim Broshën, Tefik Mehmetin, Bafti Jakupin, Bashkim Kursanin, Sinan Sahitin, Daut Morinën dhe Asllan Sllamnikun si individë që e kanë torturuar gjatë periudhës së tij të burgosjes.

Sipas Musmuratit, këta individë e torturuan në mënyra të ndryshme, qoftë fizikisht apo psikologjikisht, nga 2 korriku i vitit 1981 deri në nëntor të po atij viti.

Musmurati tregoi se pas dhjetë ditësh nën mbikëqyrjen e autoriteteve, u dërgua fillimisht në burgun e Gjilanit dhe më pas në atë të Prishtinës.

Në Burgun e Gjilanit, Musmurati përjetoi tortura, të cilat ai i përshkroi si të dhunshme.

“Në Gjilan vetëm një torturë e kam pas para se më përcillnin për Prishtinë. Ai i pari që më ka torturuar atje ka qenë një Tefik Mehmeti i Vitisë që ka punuar në Sigurim në atë kohë. Nuk mundem me thanë që ajo ka qenë një torturë shumë e rëndë”, ka thënë Musmurati.

“Në Gjilan vetëm një torturë e kam pas para se më përcillnin për Prishtinë. Ai i pari që më ka torturuar atje ka qenë një Tefik Mehmeti i Vitisë që ka punuar në Sigurim në atë kohë. Nuk mundem me thanë që ajo ka qenë një torturë shumë e rëndë”, ka thënë Musmurati.

Gjërat u përkeqësuan në Prishtinë, ku torturat ishin të vazhdueshme e më të dhunshme sesa në Gjilan. Musmurati përshkroi se si hetimet filluan menjëherë pas mbërritjes së tij dhe se ai nuk kishte paqe as ditën e as natën.

“Aty nuk ma kanë ndalur drunin as ditë, as natë. Më merrnin në mëngjes në orën 9 e gjysmë më kthenin diku në orën një e gjysë pas dreke… në ora 9 ka qenë fjetja në burg, taman bija me fjet përsëri në 9 e gjysmë më merrnin e më dërgonin në sigurim dhe atje torturat s’jonë nal kurrë asnjëherë”, ka shtuar ish i burgosuri politik.

Musmurati tregoi se Bafti Jakupi ishte konsideruar si një prej njerëzve më të besuar të sigurimit serbo-jugosllav, i njohur si UDB, që pretendonte shkatërrimin e “irredentës shqiptare”. /Dukagjini/