Çfarë lidhjesh kanë raelianët me klonimin e njeriut? Kush ishte Claude Voriholn, themeluesi i këtij sekti? Çfarë i kishin thënë atij “jashtëtokësorët të cilët e kishin kidnapuar”? Ku jetojnë 8400 njerëzit të cilët nuk kanë vdekur kurrë? A janë në mesin e tyre edhe Jezu Krishti dhe Muhamedi? A ka shqiptarë midis këtyre 8400 vetave?
Pakkush deri më 2002 ka ditur çka është Clonaidi dhe ç’janë raelianët. Clonaidi është kompania e cila ka pretenduar që ka bërë klonimin e dy fëmijëve të parë, që njeriu i parë i klonuar mbanë emrin “Eva” – duke i referuar “Biblës”, natyrisht. Po ashtu, publiku tashmë e di që raelianët janë sekt krejtësisht i veçantë që qëndron prapa Clonaidit.
ELOHIMËT JANË JASHTËTOKËSORË
Po cilët janë raelianët?
Themelues i tyre është francezi Claude Voriholn, i cili mori emrin Rael. Voriholn u ka thënë së pari miqve të tij e pastaj edhe mbarë botës, në librat e shkruar prej tij, se atë e kishin marrë në një anije kozmike jashtëtokësorët. Ata e kishin bindur që njerëzit, raca njerëzore në Tokë, është e klonuar prej tyre. Ata tërë kohës e kishin thirrë Voriholnin Rael, prandaj ky, kur u kthye në Tokë, mbajti për vete këtë emër, transmeton Telegrafi.
Raelianët i thërrasin jashtëtokësorët Elohim (në përputhje me “Biblën”). Lëvizja e raelianëve beson në një “religjion ateist”, ku nuk ka vend për Zotin apo diç tjetër që shkon tej natyre. Në anën tjetër, sipas këtij religjioni, njerëzit duhet të jetojnë në dashuri dhe tolerancë, pastaj, secili njeri duhet ta përmirësojë veten gjatë jetës së tij, të bëhet më i mençur, më i ndërgjegjshëm.
Raelianët besojnë në Amshim: Në gjendjen e cila nuk njeh fund dhe as fillim. Sipas këtij sekti, Gjithësia ka ekzistuar gjithmonë, ajo nuk është krijuar. Pastaj, jetë nuk ka vetëm në Tokë, por në disa pjesë të Gjithësisë. Nëse Gjithësia ka ekzistuar gjithmonë, atëherë del që njerëzit nuk janë krijuar prej Zotit, por prej jashtëtokësorëve. Natyrisht, pyetja që këtu del është kush i ka krijuar jashtëtokësorët?
Sipas raelianëve, njerëzimi do të shënojë përparime të reja. Kështu, njerëzit do të arrijnë të zbulojnë sisteme të reja diellore, do të udhëtojnë kah planetat tjera. Në këtë kontekst, sipas raelianëve, njerëzit do të aftësohen të krijojnë jetën prej hiçit dhe këtë aftësi të tyre do ta ushtrojnë në ndonjë planet.
Elohimët (jashtëtokësorët), sipas raelianëve nuk janë zotëra, por, megjithatë, janë në një shkallë më të lartë të zhvillimit se sa njerëzit. Elohimët i kanë shpëtuar agresivitetit dhe këtë e kanë dëshmuar edhe me krijimin e qenieve të tjera, si është rasti me njerëzit. Krijimi i jetës të bën, sipas realianëve, të jesh i kujdesshëm dhe t’i shmangësh rrënimit.
Në këtë kontekst, për realianët klonimi i fëmijës është gjithsesi një punë që duhet mbështetur. Përparimi i shkencës për ta është një gjë shumë e mirë dhe njerëzit nuk duhet t’i frikësohen asaj.
SI DO TË BËHEMI TË PAVDEKSHËM?
Pos klonimit, realianët janë shumë të interesuar edhe për zbulimet shkencore të cilat do të mundësonin zgjatjen e jetës së njeriut. Kështu, realianët mendojnë që jeta mund të zgjatet duke kombinuar pjesët e trurit të dy njerëzve në një trup të vetëm. Megjithatë, për momentin së paku, realianët thonë që kjo është një fantastikë shkencore. Por, nëse eksperimentet tregohen të suksesshme, sipas tyre, kjo do të ketë domethënien e arritjes së pavdekshmërisë së njeriut. Përndryshe, obligimi i raelenëve ndaj kompanisë Cloanid është një lloj anëtarësie prej 150 dollarë amerikanë në vit.
Pra, realianët janë sekt e veçantë, sepse nuk besojnë në pavdekshmërinë e shpirtit, por në pavdekshmërinë e njeriut, si konsekuencë e zhvillimeve shkencore. Në të vërtetë, ata tashmë janë të bindur që shkenca e elohimëve ka bërë të pavdekshëm një numër të caktuar njerëzish, përfshirë këtu Jezu Krishtin dhe Muhamedin, të cilët jetojnë në një planet tjetër. Raeli, kryeprofeti i këtij sekti, pohon që deri më tash, sipas kritereve të elohimëve, me pavdekshmëri janë vulosur 8400 njerëz nga e gjithë historia e njerëzimit. Të gjitha këta jetojnë në një planet, për ekzistencën e të cilit nuk di gjë njerëzimi i sotëm.
Sipas tyre, Nëna Tereze ka përfillur të gjitha kriteret e mundshme dhe ajo nuk ka vdekur. Edhe Gandhi, lideri i njohur joviolent në procesin e pavarësimit të Indisë, është në mesin e 8400 të pavdekshmëve.
Raelianët kanë porositë e tyre të shkruara, botimet e veçanta, në të cilat, pos tjerash, porosisin që duhet përmbushur çdo çast të jetës dhe që në përgjithësi, duhet dashur jetën.
Raealianët kanë si synim të vetim suprem të përgatisin njerëzimin për takimin e tyre me elohimët (jashtëtokësorët). Ky takim, sipas kësaj sekte, gjithsesi do të jetë ngjarja më e rëndësishme në historinë e njerëzimit, transmeton Telegrafi.
Përndryshe, raelianët janë të integruar në shoqëri, ata nuk dallohen shumë në jetën e përditshme. Veshjet e tyre janë si të gjithë njerëzve të tjerë. Dallimi i vetëm qëndron te medaljoni, i cili ka simbolin e amshueshmërisë. Megjithatë, ata që i takojnë këtij sekti nuk janë të detyruar të mbajnë këtë medaljon.
Sa i përket tipareve, thuhet që raelianlt inkurajojnë shprehjen individuale.
ÇFARË SISTEMI BESIMI KANË RAELIANËT?
Kohë pas kohe, raelianët mbajnë seminare në të cilat shkëmbejnë përvojat e tyre. Në këto seminare, midis tjerash, raelianët kërkojnë forma të reja të kënaqësive jetësore, të zhvillimit mental dhe të meditimit.
“Në meditimet tona nuk ka asgjë mbinatyrore. Për shembull, ne nuk besojmë në shpirt. Qëllimi ynë është që të përmirësojmë aftësitë për t’iu kënaqur jetës. Ne me ndjenjat tona jemi të lidhur me ambientin. Ka mënyra për të bërë shoqërinë njerëzore më paqësore”, pohojnë raealianët.
Raelianët i kanë ritualet e tyre të martesës dhe bekimit. Megjithatë, prindërit raelianë nuk duhet të detyrojnë fëmijët e tyre që të bëhen besimtarë të kësaj sekte. Kjo çështje duhet të mbetet zgjidhje e vetë fëmijëve, kur të arrijnë moshën e pjekurisë.
Bekimi bëhet vetëm midis orës 3-4 pasdite sepse, sipas besimit të tyre, në atë kohë, diku afër Tokës gjendet ndonjë anije jashtëtokësorësh e cila përcjellë çfarë po ndodh në Tokë.
Raelainët kanë edhe ipeshkvit e tyre. Në tërë botën janë vetëm 25 veta. Po ashtu, janë edhe 150 “udhërrëfyes”.
Sa i përket ritualit të martesës, me rëndësi është që partnerët pajtohen që do të jetojnë në paqe, dashuri dhe harmoni. Por, nëse martesa nuk tregohet e suksesshme, raelianët nuk bëjnë kurrfarë pengesash për shkurorëzim. Përkundrazi, ata inkurajojnë divorcin, sepse mendojnë se partnerët nuk duhet të qëndrojnë së bashku nëse nuk e duan dhe nuk e çmojnë njëri-tjetrin.
Supozohet se tash e tutje numri i tyre do të shënojë rritje të madhe, sepse klonimi ka bërë që interesimi për ta të shtohet shumë në botë. Në instancë të fundit, siç del nga doktrina e tyre, nuk është edhe aq vështirë të jesh raelian, ndërsa në perpsektivë, së paku siç premtojnë ata, mund të arrihet edhe pavdekshmëria. /Telegrafi/