Një javë më parë, mediet ndërkombëtare publikuan lajmin lidhur me vizitën e delegacionit të së ashtuquajturës “Qendrës Ruse për Kulturë dhe Shkencë” në Beograd, e njohur si “Ruski Dom”.
Kjo vizitë ishte realizuar më 18 dhe 19 maj 2021. Pjesë e këtij delegacioni ishin Yevgeny Baranov dhe Vasily Galaktionov.
Sipas faqes së tyre në Facebook, kjo vizitë u organizua nga Zyra Ndërlidhëse e Federatës Ruse, e cila gjendet në lagjen Arbëria në Prishtinë.
Delegacioni rus realizoi vizita në disa qytete të Kosovës.
Ata vizituan Mitrovicën e Veriut, Universitetin paralel në këtë qytet, Manastirin e Graçanicës, Manastirin e Deçanit si dhe Shtëpinë e Kulturës në Graçanicë.
Pjesëmarrës në këto vizita ishin edhe përfaqësues të kësaj zyre, në krye me shefin e saj, Andrey Shugurov dhe zyrtarin tjetër Nikita Sukhodolov.
“Shtëpia Ruse” publikoi edhe fotografitë e vizitës në fjalë, gjë që dëshmojnë pjesëmarrjen e zyrtarëve rusë në Prishtinë.
Në krye të “Shtëpisë Ruse” në Beograd është Jevgenij Boranov. Ai ka qenë gazetar raportues nga ish-Jugosllavia.
Edhe pse zyrtarisht “Shtëpia Ruse” deklaron se kanë nënshkruar një marrëveshje me Universitetin paralel në Mitrovicën e Veriut, arsyeja e vërtetë e kësaj vizite ende nuk dihet. /Telegrafi/