Sipas raportimeve të së hënës në mëngjes, pronarët e Genoa, 777 Partners janë afër blerjes së skuadrës së Ligës Premier, Everton nga Farhad Moshiri, por çfarë dihet për investitorët e mundshëm deri më tani?
777 Partners u themelua në vitin 2015 nga Steven Pasko dhe Joshua Wander, të cilët mes tyre kanë më shumë se 50 vjet përvojë në sektorin e shërbimeve financiare dhe të dy kanë mbajtur role ekzekutive me firmën e investimeve SuttonPark Capital.
777 e përshkruajnë veten si “një familje me sportdashës të pasionuar dhe punë ekipore të rrënjosur thellë në kulturën tonë” dhe pretendojnë se i ofrojnë rrjetit të tyre të ekipeve sportive “qasje të menjëhershme në një platformë të shkallëzueshme, me shumë klube”.
Përveç tregut sportiv, 777 Partners kanë investuar edhe në industrinë e aviacionit, sigurimeve dhe fintech.
Në vitin 2018, firma e investimeve me bazë në ShBA bëri lëvizjen e saj të parë në pronësi të klubit kur blenë 6 për qind të aksioneve të Sevillas në La Liga.
Në vitin 2020, ata u bënë pronarë të skuadrës së Ligës Britanike të Basketbollit, London Lions dhe bënë një investim në vetë ligën (BBL).
Midis 2021 dhe 2022, investitorët filluan të shtonin gjithnjë e më shumë klube futbolli në portofolin e tyre, duke filluar me Genoan. Rossoblu ranë nga Serie A në fund të sezonit 2021-22, por aktualisht janë të dytët në Serie B dhe duket se do të kthehen në ligën e parë sezonin e ardhshëm.
Në shkurt 2022, 777 Partners blenë 70 për qind të një prej klubeve më të vjetra të futbollit brazilian, Vasco de Gama, përpara se të shtonin Standard Liege në Belgjikë dhe Red Star Paris të Championnat National në listën e tyre.
Më vonë atë vit, firma bëri investime të rëndësishme në skuadrën e Bundesligës, Hertha Berlin dhe skuadrën australiane, Melbourne Victory.
Tani, 777 Partners po i afrohen blerjes së Evertonit, në atë që ka të ngjarë të jetë investimi i tyre më i rëndësishëm nëse do të blejnë të gjithë 94 për qind të aksioneve që zotëron aktualisht Farhad Moshiri. /Telegrafi/