Site icon Telegrafi

Kush ishte Gjergj Dushmani dhe kush është injorant i historisë?

Rami Memushaj

Lidhur me sulmet që kanë shpërthyer në Greqi ndaj kryeministrit Edi Rama duke e cilësuar injorant të historisë, vërehet një padije që të lë pa mend e politikanëve dhe e gazetarëve grekë. Si mik i historisë dhe i së vërtetës, po jo si historian, po sjellim këtu disa të dhëna që kushdo që di shkrim e këndim dhe që ka një telefon android, tablet a kompjuter mund t’i gjejë fare lehtë, mjafton që të kërkojë në Wikipedia fjalën Dushmani.

Dushmanët ishin një familje fisnike shqiptare e cila gjatë shek. XIV–XV sundoi një territor të Shqipërinë Veriore që shtrihej nga fusha e Zadrimës deri në Alpet shqiptare.

Kjo familje përmendet për herë të parë në dokumentet venedikase si vasalë të Balshëve. Një anëtar i kësaj familjeje, Gjin Dushmani, përmendet bashkë me feudalë të tjerë shqiptarë, si komandant i trupave ndihmëse shqiptare në betejën e Ankarasë më 1402. Pas humbjes së trupave otomane, ata iu ofruan si vasalë Republikës së Venedikut më 1403.

Më 2 korrik 1403, senati i Venedikut u njohu sundimin e Pultit, Goranit, Damjanit dhe Nenadit, anëtarë të familjes Dushmani. Anëtarë të kësaj familjeje ishin edhe disa klerikë katolikë; një ndër ta ishte Pal Dushmani, i përmendur si peshkop i Pultit (“Dusmanus ep. Polat.”). Një anëtar tjetër i familjes Dushmani, Lekë Dushmani, përmendet si një nga themeluesit e Lidhjes së Lezhës. Vajza e tij Irenë Dushmani u bë e famshme për shkak të një grindjeje për të, e cila shpuri në çarjen e madhe midis anëtarëve të Lidhjes së Lezhës, që përfundoi në luftën shqiptaro-venedikase të viteve 1447–1448.

Familja Dushmani, bashkë me familjen Spani, qenë kundër luftës me Venedikun dhe nuk morën pjesë në të.

Në mars 1451, Lekë Dushmani dhe Bozhidar Dushmani bënë plan të sulmonin Drishtin e kontrolluar nga Venediku, por komploti i tyre u zbulua dhe Bozhidari u detyrua të ikte në mërgim. Në korrik 1452, papa dërgoi Pal Dushmanin të zgjidhte konfliktin midis Lekë Dukagjinit dhe Skënderbeut10.

Autori Demetrios Sicilianos, në librin “Athina e re dhe e vjetër” (1960, f. 23), shkruan: “Familja Dushmani është me prejardhje shqiptare. Paraardhësi i tyre Leka (Aleksandër) Dushmani luftoi me Gjergj Kastriotin (ose Skënderbeun) kundër turqve (1468). Pas pushtimit të Shqipërisë nga sulltan Mehmeti, ai u strehua në Greqi. Dy shekuj më vonë, kur turqit e rimorën Athinën pas tërheqjes së venedikasve, Gjergj Dushmani, që ishte vendosur atje, u largua me venecianët në Peloponez…”

Të dhënat biografike të pasardhësve të kësaj familjeje provojnë se Lekë Dushmani u vendos në Korfuz. Gjergj Dushmani, që përmend autori i mësipërm dhe për të cilin shkroi edhe kryeministri Edi Rama, i përket kësaj familjeje, që ka nxjerrë politikanë dhe ushtarakë të shquar të Greqisë, si Anton Dushmani (1800–1890), kont i Korfuzit dhe politikan grek, dhe nipërit e tij, vëllezërit Viktor Dushmani (1861–1949) e Sofokli Dushmani (1868–1952), oficerë madhorë të ushtrisë greke, të tre të lindur në Korfuz.

Pra, nuk është kryeministri ynë ai që nuk e njeh historinë, po janë historianët, politikanët dhe gazetarët grekë, që, të helmuar keq nga nacionalizmi i sëmurë, e shtrembërojnë në mënyrë të paturpshme historinë. Wikipedia është një enciklopedi e hapur për gjithë botën, atë mund ta lexonin edhe politikanët dhe gazetarët grekë para se të reagonin marrëzisht dhe, nëse nuk i besojnë kësaj, le t’u hyjnë burimeve historike. Por, leximi për së prapthi i historisë përbën një konstante të politikës greke dhe ne shqiptarëve na ka rënë fati i keq të përballemi me këta injorantë të pailuminueshëm të historisë në vendin ku ka lindur historia.

Exit mobile version