Fethullah Gulen, kleriku turk i cili së fundmi ka qëndruar në SHBA, ishte një figurë e njohur në pjesën më të madhe të botës myslimane.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, predikuesi islamik 83-vjeçar, i cili vuante nga shëndeti i keq prej vitesh, vdiq në një spital në Shtetet e Bashkuara më 20 tetor, sipas faqes së tij personale.
Gulen drejtoi “Hizmet”, ose “Shërbim”, një lëvizje e fuqishme sociale dhe fetare që sponsorizon ose është e lidhur me shkolla, qendra kulturore dhe universitete në mbi 100 vende.
Me miliona ndjekës, “Hizmet” përgjithësisht konsiderohet se promovon një formë të moderuar të Islamit.
Por, siç shkruajnë mediat botërore, ai konsiderohej gjithashtu si një kërcënim nga disa vende duke pasur parasysh ndikimin në arsim, biznes dhe media në të gjithë Azinë Qendrore, Ballkan, Afrikë dhe Perëndim.
Gulen, i cili ishte i vendosur në shtetin amerikan të Pensilvanisë, i kaloi vitet e tij të mëvonshme “i zhytur” në akuzat për orkestrimin e një tentativë grushti shteti në vitin 2016 kundër presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.
Ai mohoi me forcë akuzat.
Ndryshe, vënë në pah mediat botërore, djali i një predikuesi islamik, Gulen ishte një aleat dikur i Erdoganit që ndihmoi Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) fetarisht konservatore të presidentit turk të vinte në pushtet në vitin 2002.
Por të dy aleatët “ranë në kundërshtim” me njëri-tjetrin.
Turqia e cilësoi lëvizjen e Gulenit një organizatë terroriste në vitin 2016 dhe ajo ishte objektivi i një goditjeje masive.
Autoritetet turke pushuan nga puna dhe burgosën dhjetëra mijëra mbështetës të dyshuar të Gylenit nga ushtria, gjyqësori dhe organet shtetërore.
Që atëherë, ndikimi i lëvizjes së Gulenit ka rënë globalisht.
Një teolog i cili u bë i njohur si udhëheqës i Lutjeve të së Premtes në qytetin perëndimor të Izmirit të Turqisë në fund të viteve 1960, Gulen shkoi në mërgim “të vetë-imponuar” në vitin 1999, kur u akuzua për përpjekje për të minuar shtetin laik të vendit.
Ai mbeti në Shtetet e Bashkuara, ku jetoi si udhëheqës i izoluar i një prej organizatave më të mëdha qytetare të botës myslimane me bazë besimi. /Telegrafi/