Pas vizitës në Sarajevë dhe Beograd, drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane (CIA), William Burns vizitoi sot Prishtinën.
Nuk ka asnjë informacion zyrtar për vizitën e Burnsit në Kosovë dhe as nuk dihet se cilat ishin temat e diskutimit që u zhvilluan në Presidencë. Ai gjithashtu raportohet se është ndalur edhe në selinë e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Edhe këtu nuk dihet me kë u takua dhe çfarë u bisedua.
Ndërkohë, “turin ballkanik” e nisi me një vizitë në Bosnje dhe Hercegovinë. Burns arriti në kryeqytetin e Sarajevës më 20 gusht, ku u takua me kolegë nga komuniteti i inteligjencës, anëtarë të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, si dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme.
Ata diskutuan çështje me interes të përbashkët, duke përfshirë integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjës, por edhe “retorikën shqetësuese secesioniste dhe veprimet e Presidentit të Republikës Serbe, Milorad Dodik dhe Qeverisë së Republikës Serbe”, si zyrtar i qeverisë së SHBA, njoftoi N1 Sarajevë.
Menjëherë pas vizitës në Sarajevë, njeriu i parë i CIA-s shkoi në Beograd. Burns raportohet se ka takuar drejtorin e Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), Vladimir Orliq. Nuk dihet nëse është takuar edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Ky diplomat me karrierë të gjatë erdhi në krye të CIA-s pasi u emërua nga presidenti aktual i SHBA-së, Joseph Biden në vitin 2021 dhe u zgjodh unanimisht nga Senati amerikan.
“Bill më ka dhënë gjithmonë një analizë të qartë dhe të drejtpërdrejtë rreth sigurisë dhe mbrojtjes së popullit amerikan, duke reflektuar rolin integral që luan CIA në vendimmarrjen tonë të sigurisë kombëtare në këtë kohë kritike”, kishte pohuar atëkohë Biden. “Ai udhëheq me dinjitet dhe përfaqëson më të mirën e Amerikës, dhe mezi pres të vazhdoj të punoj me të në vitet në vijim”, kishte shtuar ai.
Burns ka shërbyer më parë si Zëvendës Sekretar i Shtetit nën Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clintonin.
Ndër të tjera, ai ishte ambasador amerikan në Jordani nga viti 1998 deri në 2001 dhe ambasador në Rusi nga 2005 deri në 2008.
Ai doli në pension nga shërbimi diplomatik amerikan në vitin 2014 pas një karriere 32-vjeçare.
Nga viti 2014 deri në vitin 2021, ai ishte president i Carnegie Endowment for International Peace.
Kush është William Burns?
William Joseph Burns lindi më 11 prill të vitit 1956 në Fort Liberty, Karolina e Veriut, SHBA.
Ai ndoqi shkollën e mesme në Camp Hill, Pensilvani dhe më pas studioi për historinë në Universitetin La Salle, duke u diplomuar në vitin 1978.
Ai doktoroi në Oksfordi me një bursë Marshall dhe ishte anëtar i ekipit të basketbollit për meshkuj.
Babai i tij është William F. Burns, ish-gjeneralmajor i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Kontrollin e Armëve.
Ai ishte drejtor i Agjencisë Amerikane të Kontrollit të Armëve dhe Çarmatimit në administratën e presidentit, Ronald Reagan.
William F. Burns ishte gjithashtu i dërguari i parë special i SHBA-së për negociatat e denuklearizimit me vendet ish-sovjetike
Ai shkroi librin me kujtime, “The Back Channel: Memoir of American Diplomacy and the Case for It Renewal” në vitin 2019 dhe mori shumë komente pozitive.
Drejtori Burns ka shërbyer gjashtë presidentë dhe administrata të të dyja palëve gjatë gati katër dekadave të shërbimit publik në diplomaci dhe inteligjencë.
Burns ka marrë shumë çmime dhe mirënjohje ndërkombëtare.
Ndër të tjera, ai është fitues i tre Çmimeve Presidenciale të Shërbimit të Shquar dhe disa çmimeve të Departamentit të Shtetit.
Ai ka marrë gjithashtu Çmimin e Shërbimit Publik të Shquar të Departamentit të Mbrojtjes (2014), Medaljen e Komunitetit të Inteligjencës së SHBA (2014) dhe Vula e Meritës së Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (2014).
Në vitin 1994, ai ishte në listën e Time të “50 Liderëve Amerikanë më Premtues nën 40 vjeç” dhe “100 Liderëve Globalë Më Premtues nën 40 vjeç”.
Wall Street Journal raportoi vitin e kaluar se Burns dyshohet se kishte planifikuar tre takime me Jeffrey Epstein në vitin 2014. Epstein më vonë u akuzua për pedofili ndërsa kreu vetëvrasje në dhomat e paraburgimit në vitin 2019.
Vlen të theksohet se në atëbotë, Burns ishte zëvendëssekretar i shtetit amerikan, gjegjësisht zëvendës i Hillary Clintonit.
Burns është i martuar me Lisa Carthy, një ish-diplomate dhe zyrtare aktuale e lartë e OKB-së.
Dyshja prej martesës së tyre kanë dy vajza.
Ndryshe, Burns flet gjuhën angleze, frënge, ruse dhe arabe. /Telegrafi/